E Diel, 1 Nëntor 2026

Durres, grabitet kambisti me 10 mijë euro

Autorët kanë improvizuar një aksident me mjetin e tij dhe vetëm kur janë larguar, kambisti ka konstatuar mungesën e një sasie valute dhe lekësh me vlerë 10 mijë euro. 

DURRES - Grabitet në autostradë teksa vinte për në Tiranë, administratori i një këmbimi valutor në Durrës. Grabitësit dyshohet se e kanë ndjekur nga pas administratorin Vla-dimir Dhora, 42 vjeç, qysh në momentin kur është nisur nga Durrësi. Autorët kanë improvizuar një aksident me mjetin e tij dhe vetëm kur janë larguar, Dhora ka konstatuar mungesën e një sasie valute dhe lekësh me vlerë 10 mijë euro. Policia e Durrësit ka nisur hetimet për sqarimin e ngjarjes, ndërsa në ndihmë të tyre mësohet se kanë shkuar edhe oficerët e Krimeve të Rënda të Policisë së Tiranës. Grabitja është regjistruar rreth orës 20:30 të mbrëmjes së djeshme. Dhora kishte kaluar Sukthin dhe ishte duke iu afruar Marikajt, kur është përplasur nga një automjet tjetër nga pas. Në automjetin tjetër pretendohet se kanë qenë 4 persona, mes të cilëve edhe të armatosur. Janë konfliktuar për shkakun e aksidentit. Dhora pretendon se është goditur, por nuk ka mundur të shohë se si ia kanë nxjerrë çantën me lekët e xhiros nga makina. Vetëm pasi janë larguar autorët, ai ka mësuar për zhdukjen e parave. Ka bërë denoncim në polici dhe menjëherë kanë shkuar shërbime nga Durrësi dhe Tirana. Në autostradë janë improvizuar edhe postblloqe, pasi autorët ishin larguar në drejtim të Tiranës. Burimet policore konfirmonin se deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nuk kishin mundur të binin në gjurmët e autorëve.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›