Përvjetori i PS-së dhe festa e humbësit Rama
Sot, ish-bashkiaku i mbledh të vetët për të kremtuar humbjet e tij radhazi në gjashtëvjetorin e drejtimit partiak. Ai kremton sot përçarjen e partisë, tjetërsimin e historisë së saj të re, përjashtimin e Nanos e Metës, fituesve socialistë të së shkuarës, si dhe po synon mbylljen e privatizimit të së majtës. PS po shndërrohet në një establishment paramilitar, që punon veç që Edi Rama t’i shmanget hetimit të drejtësisë, por që sjell me vete edhe humbjet e ardhshme elektorale
Sot PS-ja ka paralajmëruar festime për 20-vjetorin e krijimit të saj. Në këtë 20 vjetor përkujtimor të PS-së, Edi Rama ka marrë përsipër të mbledh nja 700 – 800 persona. Ndërsa në përvjetorë të tillë, çdo parti do të përpiqej dhe do të dëshironte të vinte me një bilanc arritjesh dhe rezultatesh pozitive, Edi Rama, të vetmin “bilanc pozitiv”, me të cilin vjen në këtë kremtim, ka humbjet e tij radhazi në 6 vjetorin e drejtimit partiak, kohë e cila mund “të konvertohet” me 30 për qind të jetës politike të kësaj partie.
Në këtë 30 për qindësh të jetës politike të PS-së, kësaj partie, për më tepër vetë Edi Ramës në krye të saj, i kanë munguar jo vetëm fitoret, por edhe aksionet politike, që të mund të mbahen mend dhe të përmenden sot në “raportin” e mundshëm të kryetarit të saj, në fillimin e dekadës së tretë të jetës politike të partisë që ai drejton.
Në qoftë se mund të quhen aksione politike, protesta e Edi Ramës në ditën e marrjes së ftesës për në NATO të Shqipëria, protesta e tij për vdekjen e Kosta Trebickës, protesta bashkë me grevën e urisë, për vjedhjen e votave të fantazuar prej tij, protesta e 21 janarit, apo ajo më e fundit, e mbetur në tentativë, për përgjakjen virtuale që Erion Veliaj i bëri Griseildës së Elvis (Ervin) Rroshit (Qemallës), atëherë, Edi Rama, vërtet ka me çfarë të ndjehet krenarë në këtë 20 vjetor të PS-së.
Po gjithsesi, të gjitha këto protesta, bashkë edhe me protestat para KQZ-së për karrigen e tij, nuk mjaftojnë që, jo ata 700 – 800 persona në festën e sotme, por as gjithë anëtarësia e PS-së, të ndjehet krenare në këtë përvjetor.
Në rast të një krahasimi të mundshëm të PS-së së sotme, me atë të para 20 viteve, është e vështirë të gjesh gjëra të përbashkëta. Më shumë PS-ja e sotme, i ngjan paraardhëses së saj (PPSH-së së para vitit 1991). Kjo ngjashmëri dukshëm bie në sy, në krahasimin e mbiemrave që kanë kapur kupolën e PS-së sot, të cilët janë të njëjtët mbiemra, që kishin kapur kupolën e PPSH së para vitit 1991. Ndërsa para vitit 1991, Rama, Gjoni, Beqja, Shamku, Peza, Bushati…, etj…, etj…, ishin mbiemrat që përfaqësonin PPSH-në, por dhe që ndiqnin emrat Kristaq, Xhelil, Hamit, përsëri një tjetër Hamit, Myslim, Sulejman…, etj…, etj…, sot të njëjtët mbiemra, Rama, Gjoni, Beqja, Shamku, Peza, Bushati, përfaqësojnë PS-në, trashëgimtaren e PPSH-së, por nën emrat, Edi, Ilir, përsëri një tjetër Ilir, Ledi, Dashi, Ditmir…, etj…, etj…, të cilët, as më pak e as më shumë, janë pinjollët e të parëve.
Por, ndërsa Edi Rama me fanatizmin e tij, ia ka arritur të ruajë me xhelozi trashëgiminë, më se 20 vjeçare të PPSH-së (nën logon e PS-së), ai po me kaq xhelozi, është kujdesur ta tjetërsojë historinë e 20 viteve të fundit të PS-së. Duke ia arritur më së miri të përçajë këtë parti, Edi Rama njëherazi ia ka arritur të përjashtojë themeluesit e saj, që për dreq, kanë ca fitore në të shkuarën jo më larg se 20 vjeçare të kësaj partie. Jo vetëm kaq, por, në këto 6 vjet që Edi Rama, ka pasur gjithë kohën e mjaftueshme në dispozicion (30 për qind nuk janë pak), që ta hermetizojë këtë parti dhe ta degdisë në kufijtë e privatizimit të saj. Për Edi Ramën, 30 përqindëshi i fundit i jetës politike të PS-së, ishte më se e mjaftueshme, që ai ta shndërronte këtë parti në një formacion të tipit të një establishmenti paramilitar…, që ta përdor si mburojë në shmangien e tij, nga hetimi i drejtësisë.
Në fund të fundit, çfarë do ti duhen atij themeluesit e PS-së në këtë 20 vjetor, kur i mjaftojnë Iliri, përsëri një tjetër Ilir, Ledi, Dashi, Ditmiri…, etj…, etj…, për tu shpërfytyruar në kufijtë e karagjozëve, kur do ti duhet të kapërcejnë kangjellat e KQZ-së, me kokën poshtë e bishtin përpjetë, për llogari dhe për karrigen e Edi Ramws.