E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Opozita të votojë ligjet e integrimit, pasi bojkoti mbetet zgjedhje e gabuar

11-06-2011 / Gazeta 55

Komiteti Ndërministror i Integrimit diskuton Raportin e KE për situatën e pas heqjes së vizave me Ballkanin Perëndimor dhe Planin e Veprimit për 12 rekomandimet e KE, duke rinovuar thirrjen që opozita të votojë në Kuvend për realizimin e “detyrave” të Brukselit
 
“Nuk ka rritje të numrit të azilkërkuesve nga Republika e Shqipërisë, pas vendosjes së regjimit të ri të heqjes së përkohshme të regjimit të vizave. Ky është një zhvillim shumë pozitiv, dëshmi e qëndrimit të përgjegjshëm të qytetarëve shqiptarë ndaj një vendimi iluminist të qeverive të zonës së “Schengen”-it. Kështu u shpreh dje kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror për Integrimin. Sipas tij, ne duhet të vazhdojmë intensivisht informimin e publikut me të gjitha aspektet e procesit, sikundër duhet të vazhdojmë konsolidimin një për një të kërkesave të Udhërrëfyesit, të cilat në tërësinë e tyre veçse e bëjnë këtë vend më të sigurt, shtetin ligjor më funksional.
“Shqipëria dhe shqiptarët do të mund të ecin drejt BE, si një shoqëri dhe një vend i shtetit ligjor, i funksionimit të tij, si kusht i të gjitha kushteve, si kushti më themelor i kritereve të Kopenhagenit. Rezultati i ngushtë në bashkinë e Tiranës është edhe testi më i madh për shtetin ligjor. Midis alternativës së zgjidhjes politike dhe alternativës së zgjidhjes së shtetit ligjor, ne u përcaktuam për alternativën e shteti ligjor, se në të vërtetë zgjedhjet, më shumë se çdo tjetër, janë funksionim i shtetit ligjor. Uroj që opozita të përmbushë detyrimet e veta, uroj të kuptojë se jo bllokimi, por votimi, jo destruktiviteti, por konstruktiviteti është alternativa që duan qytetarët shqiptarë”- tha më pas ai.
Komiteti Ndërministror për Integrimin diskutoi dje, me propozim të kryeministrit Berisha, mbi dy çështje të rëndësishme: Raportin e Komisionit Europian mbi situatën, pas heqjes së vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Planin e Veprimit për zbatimin e 12 rekomandimeve të Opinionit të Komisionit Europian. Lidhur me çështjen e parë, kryeministri duke sjellë konkluzionet e Raportit të KE-së se Shqipëria është në parametrat më optimalë, nuk ka rritje të numrit të azilkërkuesve nga Republika e Shqipërisë, u shpreh se ky zhvillim shumë pozitiv është dëshmi e qëndrimit të përgjegjshëm të qytetarëve shqiptarë ndaj një vendimi iluminist të qeverive të vendeve të zonës së “Schengen”-it. Pavarësisht këtyre konstatimeve pozitive, kryeministri kërkoi jo eufori, por konsolidimin e çdo kërkese të Udhërrëfyesit.
Ai i kërkoi gjithashtu, ministrit të Brendshëm vazhdimin e informimit të publikut nëpërmjet spoteve televizive, për të gjitha aspektet e këtij procesi, duke vënë theksin se zgjatja e qëndrimit tej afatit të parashikuar nuk ka asnjë avantazh financiar.
Çështja e dytë që KNI mori në shqyrtim ishte Plani i Veprimit për zbatimin e 12 rekomandimeve të Opinionit të Komisionit Europian.
Lidhur me këtë, kryeministri Berisha tha se që nga 31 janari kur projekti me punën e bërë për zbatimin e këtyre rekomandimeve iu dorëzua KE-së, janë organizuar konsultime me KE-në, takime me grupet e interesit, agjencitë përkatëse dhe shoqërinë civile.
“Komisioni Evropian me një angazhim ka ndjekur dhe ndjek zhvillimin e zgjedhjeve lokale në Shqipëri. Këto zgjedhje, siç janë vlerësuar ishin zgjedhje që nderuan garën, objektive dhe transparente. Në të gjithë Shqipërinë, në 384 bashki, minibashki dhe komuna, kundërshtitë kanë qenë më të vogla se kurrë në historinë e këtij vendi.
Në demokracitë e Evropës dhe botës ka ligje nga më të ndryshmet për zgjedhjet, asnjë nuk është identik me tjetrin, por ato japin zgjedhje demokratike, kur këto ligje funksionojnë, zbatohen, natyrisht brenda standardeve. Kështu që ne u pozicionuam për një zgjidhje të shtetit ligjor. Zgjidhja e shtetit ligjor po ecën. Ne nuk mund të konceptonim dhe nuk konceptojmë kurrë, që të mos numërojmë çdo votë. Kjo duhet të jetë dhe është çështje ndërgjegje për çdo njeri që i beson lirisë dhe vlerave të saj. Për çdo forcë politike dhe politikan, në rast se qytetari shqiptar nuk ka të garantuar numërimin e çdo vote, pastaj çdo alternativë tjetër ogurzezë, është staliniste “votoni ju, se numëroj unë dhe pastaj unë numëroj ashtu siç dua”- tha më tej kryeministri Berisha.
Cecilia Malmstrom: Shqipëria po e respekton siç duhet liberalizimin e vizave/“Ne kemi diskutuar mbi liberalizimin e vizave me vendet e Ballkanit, por kjo nuk është një sekret. Për ne liberalizimi i vizave është një sukses i madh dhe të gjitha shtetet anëtare janë të ndërgjegjshme për këtë”- tha Malmstrom në një intervistë dhënë për televizionin “Klan”. Përfaqësuesja e Komisionit Evropian ka theksuar se janë vërejtur disa probleme me azilantët në Maqedoni dhe në Serbi. Ndërsa ka shtuar se nuk ka pasur ankesë nga ministrat e brendshëm të Bashkimit Evropian në lidhje me Shqipëria. “Ka disa probleme si me Maqedoninë dhe Serbinë, nga të cilat arrin një fluks i madh azilkërkuesish në Bashkimin Evropian. Ne duhet të marrim masa për këtë dhe kjo është arsyeja për të cilën kemi diskutuar me ministrat e brendshëm. Asnjë shtet anëtar nuk ju referua asnjë problemi lidhur më Shqipërinë”, tha dje komisionerja Cecilia Malmstrom. Ajo ka shtuar se Bashkimi Evropian është i kënaqur me faktin se qytetarët shqiptarë e kanë respektuar lëvizjen e lirë. Nga ana tjetër, komisionerja Malmstrom ka theksuar se Komisioni Evropian ka vendosur që t’i mbajë nën monitorim vendet e Ballkanit që kanë përfituar nga lëvizja e lirë në zonën “Schengen”. Ajo ka theksuar gjatë fundit të këtij viti do të ketë një tjetër raport në lidhje me ecurinë e procesit të liberalizimit të vizave. “Monitorimi i liberalizimit të vizave me vendet e Ballkanit do të vazhdojë dhe ne kemi rënë dakord për të bërë një vlerësim të dytë lidhur me këtë proces gjatë presidencës polake në fund të vitit”- tha Malmstrom. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›