BERZH korrigjon shifrat për Shqipërinë, rritja ekonomike 0.6 %
Rritja ekonomike e Shqipërisë për vitin 2012 nuk do të jetë më tepër se 0.6 %. Parashikimi vjen nga BERZH, e cila bën një vlerësim të ngjashëm me atë të FMN, e cila pak kohë më parë e parashikoi rritjen ekonomike të vendit tonë 0.5 %.
Parashikimi i BERZH
Me këtë shifër Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka përgjysmuar brenda tre muajsh vlerësimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë. Në muajin korrik, BERZH vlerësonte se rritja e prodhimit në vitin 2012 do ishte 1.2 për qind. Por në buletinin e fundit të publikuar dje, shifra është tkurrur në vetëm 0.6 për qind, shumë pranë variantit te Fondit Monetar Ndërkombëtar prej 0.5 për qind. Arsyet për korrigjimin e fortë në ulje, sipas BERZH lidhen me ecurinë e dobët të ekonomisë në gjashtëmujorin e parë, kryesisht për shkak të thellimit të krizës në dy ekonomitë fqinje, Italisë dhe Greqisë, partnerët kyç ekonomike të vendit.
Tregtia me fqinjët
Sipas BERZH-it, lidhjet e forta të Shqipërisë me këto vende në tregti, investime, por edhe dërgesat e emigrantëve do të frenojnë rritjen ekonomike përgjatë vitit dhe borxhi i lartë publik nuk i lë hapësira Qeverisë për të ndërhyrë. Skenarët e ndërkombëtarëve për rritjen ekonomike në Shqipëri, paraqesin një situatë të zymtë dhe shumë larg vlerësimeve zyrtare të qeverisë, e cila për vitin 2012 pret një rritje të prodhimit me 3 për qind.
Kriza e BE
Të gjitha ekonomitë e Europës Juglindore po përballen me thellim të krizës. BERZH thotë se perspektiva ekonomike e rajonit është e pasigurt dhe rreziku kryesor tashmë janë dobësitë e sistemit financiar. Sektori bankar në Europën Juglindore zotërohet në pjesën dërrmuese nga grupe bankare me kapital nga vendet e Eurozonës. Që prej fillimit të vitit thuajse të gjitha këto banka po zbatojnë një politikë të ashpër për të riekulibruar bilancet e tronditura nga kriza dhe rruga kryesore është ajo e tkurrjes së fortë të kredive.
Frenim i kredive
Shqipëria, për shkak edhe të varësisë së lartë nga Bankat e Eurozonës është një nga vendet më të prekura. Në gusht rritja e kredisë për sektorin privat shënoi shifrën më të ulët historike, 4.8 % në vit, duke paralajmëruar ngadalësim të investimeve në ekonomi. Prej shumë vitesh një nga mbështetësit kryesor të rritjes ekonomike, kriza i ka detyruar bankat tashmë të marrin rolin e kundërt, atë të frenuesit të saj duke mos financuar investimet por edhe konsumin privat.