E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE'ja e befasuar për zgjedhjet serbe

(E plotësuar) Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian nuk janë shprehur zyrtarisht rreth vendimit të Serbisë që në zgjedhjet që i organizon ajo të përfshihet edhe Kosova por jozyrtarisht një mundësi të tillë e kanë quajtur si gjë e cila është në kundërshtim me obligimet ndërkombëtare të Serbisë.

“Ne kemi marrë në dijeni thirrjen e cila është bërë sot për të mbajtur zgjedhjet Parlamentare, Krahinore dhe lokale në serbi me 6 maj. Kjo do të jetë një mundësi për qytetarët e Serbisë të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike dhe të vendosin për të ardhmen e shtetit të tyre. Ne nënvizojmë se thirrja e zgjedhjeve në Kosovë nuk është në përputhje me obligimet ndërkombëtare të Serbisë, më saktësisht me rezolutën 1244 të Këshillit të sigurimit të OKB-së”, ka thënë një zyrtar i Bashkimit Evropian në Bruksel, i lutur të komentojë vendimin e autoriteteve të Serbisë që të thërras zgjedhje edhe në territorin e Kosovës.

Zyrtarë të BE-së pohojnë jozyrtarisht se nuk kanë pritur që Serbia të shpall zgjedhje edhe për territorin e Kosovës dhe se “ndjehen të befasuar me një vendim të tillë”.

Ata pohojnë se kanë menduar se, “pasi që Serbia ka insistuar aq shumë që në dialogun me Prishtinën të binden autoritetet e Prishtinës për përmendjen e Rezolutës 1244 në fusnotën rreth pjesëmarrjes së Kosovës në nismat rajonale Serbia do të respektoj edhe vet atë Rezolutë dhe të mos zhvilloj zgjedhje në Kosovë”.

Por në BE të martën nuk kanë dashur të përgjigjen se a do të ketë Serbia ndonjë pasojë nëse zhvillon zgjedhje edhe në territorin e Kosovës. /rel/

Qeveria: Zgjedhjet serbe në Kosovë, të papranueshme

Qeveria e Kosovës konsideron se qëndrimi i Beogradit zyrtar për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë është i pa pranueshëm.

"Qeveria e Republikës së Kosovës me këtë rast i përkujton edhe njëherë Beogradit zyrtar se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, dhe Serbia nuk ka asnjë lloj juridiksioni apo të drejte mbi Republikën e Kosovës. Vendimi i sotëm e demaskon qasjen anti-evropiane të Serbisë ndaj Kosovës si dhe demonstron që Serbia vazhdon të ushqej politikat e shekullit të kaluar", thuhet ne deklaratën e Qeverisë së Kosovës.

"Qeveria e Republikës së Kosovës tashmë ka kontaktuar me faktorët relevant ndërkombëtar, duke ua bërë me dije që sjelljet e tilla janë të papranueshme. Bashkimi Evropian duhet t’ia bëjë të qartë Serbisë që mbajtja e zgjedhjeve lokale në Kosovë është në kundërshtim jo vetëm me Kushtetutën e Kosovës, por edhe me vlerat dhe parimet evropiane.

Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron që tentimin i mbajtjes së zgjedhjeve të tilla do të jetë pa efekt legal juridik apo politik, dhe si të tilla do të trajtohen, pra si zgjedhje ilegale dhe pa legjitimitet demokratik. Qeveria e Kosovës i fton gjithë qytetarët serbë të Kosovës që të jenë pjesë e institucioneve demokratike kushtetuese të Republikës së Kosovës", thuhet më tej në deklaratë.

Franca i thotë Serbisë: Mos mbajë zgjedhje në Kosovë

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Europiane të Francës rreth vendimit të Serbisë për t’i mbajtur zgjedhjet lokale në shumicën e komunave të Kosovës.

Zëdhënësi i kësaj Ministrie, Bernard Valero, shprehu qëndrimi kundërshtues të Parisit rreth këtij vendit të shtetit serb.

“Franca kërkon nga Serbia që të përmbahet për thirrjen e organizimit të zgjedhjeve komunale në Kosovë. Një vendim i tillë do të binte në kundërshtim me Rezolutën 1244/99 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe me realitetin e Kosovës së pavarur nga viti 2008, konform me të drejtën ndërkombëtare (mendimi i GJND’së, më datë 22 korrik 2010)”, thuhet në deklaratën e Zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme të Francës.

“Po ashtu, nuk do të ishte konform frymës së procesit të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe nismës serbe për afrim me Unionin Europian, të cilën e mbështesim”, vazhdon deklarata e Zëdhënësit Bernard Valero.

Franca, sërish, ripërsërit mbështetjen e saj për sovranitetin e Kosovës.

“Franca rikujton mbështetjen e saj për sovranitetin e Kosovës në tërë territorin e saj”, thuhet në deklaratë.

Serbia shpall mbajtjen e zgjedhjeve lokale edhe në Kosovë

Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Slavica Djukic - Dejanovic, ka shpallur 6 majin datë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në komunat dhe qytetet e Serbisë, përfshirë këtu edhe komunat në Kosovë, në të cilat qeverive lokale u ka skaduar mandati.

Dejanovic tha se zgjedhjet nuk do të mbahen në 17 komuna në Serbi (përfshirë 5 komuna të Kosovës), për shkak se, siç tha ajo, atje ende nuk u ka skaduar mandati qeverive lokale, raporton Tanjug.

Sipas saj nuk do të mbahen zgjedhjet në Prishtinë, Pejë, Leposavic, Mitrovicë dhe Novo Bërd, ku qeveritë aktuale kanë ende mandat.

Kryetarja e Kuvendit deklaroi se qeveria serbe, në bashkëpunim me UNMIK-un, do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë.

Edhe presidenti serb Boris Tadic sot ka shpallur mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në Serbi më 6 maj.

Vendimi i Serbisë për mbajtjen zgjedhjet lokale në Kosovëpritet të kundërshtohet nga autoritetet ndërkombëtare dhe vendore në Kosovë.

Mbajtja e zgjedhjeve lokale të Serbisë në Kosovë shihet si përpjekje për sforcimin e strukturave paralele serbe, për zhbërjen e të cilave autoritetet në Prishtinë kanë kërkuar ndihmë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›