E Shtunë, 31 Tetor 2026

BISEDË ME FAN S.NOLIN! (pj II)

Vargje nga Arben Duka

Unë me emrin tënd u rrita,

o i pari mes të parëve,

emri yt si dritë mbi drita,

më vigani i shqiptarëve!

Yll i kombit shqiptar,

mal i lartë me dituri,

cili komb sdo ish krenar,

po të kishte një si ti!

Ishe zot i fukarenjve,

zot i tyre zemërak,

po i le anës lumenjve,

me një mbret anadollak!

Ike në rrugë kurbeti,

shumë larg fronit me barbarë,

po të rrije – palo mbreti,

edhe ty do të kish vrarë!

E me ty do kishte humbur,

një vepër monumentale,

shqipja nuk do kishte mundur,

të arrinte këto male!

Gjuha shqipe që të rriti,

me ty shkroi faqe të arta,

veç me ty ajo arriti,

gjer në majat më të larta!

Neverite turkoshakët,

o enciklopedi e gjallë,

në botë si ty janë të pakët,

këtu je profet në ballë!

Ti je Marathonomaku,

ti je Krishti me kamxhik,

je flamuri-je bajraku,

je si Diell në mot të lik!

Vjen në ditë të mëdhaja,

si një simfoni lirie,

më i lartë se Himalaja,

stë mbulon dot asnjë hije!

Pjesa e dytë

Sivjet kemi përvjetorin,

e njëqind të Pavarësisë,

monumenti për Zogollin,

është në plan të qeverisë

S’janë qërruar nga vatani,

babëzi e harbutllëk,

prapë u ngjall Salep Sulltani,

t’i bëj Nolit karshillëk

Eh, zhapinjtë edhe baltucët,

në kët’vend në krye janë,

të të lidhin dhe këpucët,

tepër o Fan Nol’ e kanë

Këtu ka vendosur çeta

mbret-murtajës t’i japë emër,

monumentet e vërteta,

i ka populli në zemër

Koha nesër do të tallet,

nga bëmat e këtij huri,

nga inati do ringjallet.

për hakmarrje Bajram Curri

Do ringjallet Bajram Curri,

ky vigan i vegjëlisë,

do gjëmojë kryeburri,

që nga Shpell’ e Dragobisë

Do ngjallet Avni Rustemi,

sërish e kërkon vatani,

Bir-Avni, – ne do ti themi,

- këtu ende është Toptani

C’të të them Fan Nol’ i dashur

emrin tënd s’e thinjin vitet,

po zullumi prapë është trashur,

historia përsëritet

Në Njëzet-e-Katrën ngrite,

popullin në Panteon,

po këtu vazhdon me vite,

një kundër-revolucion

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›