Të rinjtë e arteve në kërkim të punës
Projekti Rritja e aftësive sipërmarrëse të artistëve të rinj në kushtet e një ekonomie tregu, organizuar nga shoqata Miqtë e muzikës, që mori jetë më 14 shtator 2011, u finalizua në funddhjetori në Galerinë Zeta, në një mbrëmje të veçantë, ku ndër të tjera, u evidentuan 4 projekt-idetë më të mira dhe u shpërndanë certifikatat e pjesëmarrjes. Ai u mbështet te organizimi i një cikli seminaresh dhe kursesh teoriko-praktike (trajnim) që synuan të orientonin të rinjtë në tregun e punës. U morën leksione për një mentalitet të ri të lidhur me botën e marketingut, për të parë problematikat e mbështetjes së projekteve artistike e kulturore, për mënyrën sesi duhet të aplikojnë për të thithur fonde, sesi të bindin partnerët për ti mbështetur, për studimin e tregut, modelet më të sukseshme që operojnë, për të arritur deri te krijimi i idesë për ngritjen e një biznesi të fushës së artit.
Kjo nismë u mbështet nga fondacioni ABC (Albanian Besa Capital) dhe shkolla e mesme kombëtare Jordan Misja. U ftuan të aplikojnë të rinj që kanë kryer studimet në fakultetet e Muzikës, Artit Skenik, Arteve Pamore të Universitetit të Arteve Tiranë, që në këtë kohë janë të papunë, pa u përjashtuar edhe diplomantët. Përveç kryeqytetit erdhën aplikime edhe nga Shkodra, Fieri, Korça, Gjirokastra, Skrapari deri edhe nga Prishtina. Nga prurjet u përzgjodhën 36 vetë, të cilët u trajnuan nga lektorë ekspertë në fushat respektive. Projekti u drejtua nga Pjetër Guralumi që ishte edhe ideatori i kësaj nisme, ndërsa Gerond Kamberi, ekspert me përvojë në programe kulturore, mbajti leksione kryesisht për temat: Marketingu në fushën e artit; Figurat e reja profesionale të marra nga bota e biznesit dhe të futura në strukturat artistike, si: Project Manager, Product Manager, Public Relation Manager; Sponsorizimi, Formularët e fondacioneve vendase apo të huaja. Në grupin e punës ishte edhe Albana Hana, eksperte në Programet Komunitare të BE-së, e cila u mor në mënyrë të veçantë me Programin IPA (The Instrument for Pre-Accession Assistance) dhe më specifikisht me Programin IPA Ndërkufitare; Valentina Koça nga Galeri Zeta (një model i sukseshëm i biznesit në fushën e artit), Elona Myftari e Belinda Taçe eksperte kredie. Koordinimi institucional: Etleva Kolnikaj dhe Ejiris Shoshi. Në fund të trajnimit u veçuan edhe projektet më të mira. Pjetër Guralumi, violonçelist, profesor i asociuar pranë Universitetit të Arteve, jep detaje të zhvillimit të projektit.
Z.Guralumi, si lindi ideja për krijimin e një trajnimi që synon të orientojë të rinjtë në tregun e punës?
Më lejoni të hap një parantezë: shoqata Miqtë e Muzikës është interesuar prej gati 10 vitesh për fushën e menaxhimit artistik. Nga eksperienca më se 20-vjeçare në arsimin e lartë, mendoj që punësimi i të rinjve është i lidhur ngushtë me vazhdimësinë e vetë sistemit tonë arsimor artistik. Nëse do të arrinim të kishim një cikël të mbyllur të jetës së artistëve nga auditoret e deri në jetën e gjallë artistike, atëherë edhe profesioni i artistit do të kishte më tepër sens në këtë situatë të egër të ekonomisë dhe tregut shqiptar. Për rastin në fjalë, ne paraqitëm një projekt pranë Fondacionit ABC që në vitin 2010, pasi pamë që ata interesoheshin për punësimin rinor. Në këtë kohë projekt-idea jonë nuk kaloi, por pas gati një viti pamë që po fondacioni ABC kishte vendosur në prioritetet e veta dhe sipërmarrjen rinore në fushën e Artit. Për konceptin e shoqatës sonë, duket qartë pamundësia reale e institucioneve për të thithur të rinj që diplomohen apo edhe e vetë tregut shqiptar të artit për ti futur në një sistem qarkullimi vlerash. Institucionet nuk kanë kapacitetet e freskimit të organikës me të rinj çdo vit, pasi dhe vetë ato as nuk mund ti nxjerrin të gjithë në pension brenda një dite, sikurse nuk kanë dhënë prova të strategjive progresive të punësimit të artistëve me kontrata me kohë të përcaktuar. Sidoqoftë, institucionet dhe jeta e tyre artistike, nuk janë zgjidhja për më të rinjtë.
Çfarë do të parashtronit si zgjidhje?
Për mendimin tim, zgjidhja duhet parë në instrumentat e tjerë të mbështetjes së artit, qofshin këto të mbështetjes private, përmes ndryshimit të Ligjit mbi Sponsorizimin, ashtu edhe përmes ndryshimit të mentalitetit të artistëve të rinj lidhur me sipërmarrjen private dhe futjen e tyre në xhiron e produkteve të tyre specifike në një ekonomi tregu. Ajo që bie në sy në Ligjin e Sponsorizimit, është se ekuacioni i ndërtuar në lidhje me lehtësirat tatimore nuk i bën aspak të interesuara bizneset që të kontribuojnë për artin shqiptar. Ka ardhur koha që në tre tavolina të pushtetit të futet për diskutim dhe përmirësim ky ligj. Ministria e Kulturës për ta propozuar, Ministria e Financave për të gjetur modalitetet e nevojshme dhe Kuvendi i Shqipërisë për ta aprovuar.
Një pikë e fortë e trajnimit me të rinjtë që ju drejtuat është ndryshimi i mentalitetit në lidhje me sipërmarrjen private. Si mendoni, a janë ata që dorëzohen ende pa e nisur jetën profesionale apo është ambienti që shtyn drejt pesimizmit?
Do të thoja se të rinjtë janë shpesh të paorientuar. Mendojnë paraprakisht vetëm për përgatitjen profesionale (dhe bëjnë mirë) duke pritur që ditën e parë pas diplomimit, dikush do ti thërrasë. Realisht nuk ndodh kështu. Do të ishte e udhës që të fillonin sa më parë të ndërtonin profilin e aktivitetit të tyre të ardhshëm ose përmes organizatave jofitimprurëse ose përmes strukturave të biznesit të vogël të fushës së tyre respektive.
A ka në Universitetin e Arteve një lëndë të menaxhimit të artit?
Jo. Për disa vite me radhë, pas 90-s u hap një kurs studimi për menaxhimin artistik, i cili në një moment u mbyll. Nuk i kam të qarta arsyet se përse u mbyll. Parë nga zhvillimet që ka sjellë procesi i Bolonjës, nuk do të ishte çudi që të strukturoheshin studime të mirëfillta në fushën e menaxhimit të artit, ndoshta edhe në nivelin master të studimeve. Me menaxhim nuk do të nënkuptojmë vetëm menaxhimin e artistëve apo institucioneve artistike. Vendi ynë ka nevojë edhe për njerëz që të merren me politikat kulturore si në nivel të pushtetit vendor, ashtu dhe në atë qendror, me bibliotekat e specializuara artistike, me zyrat kulturore të përfaqësitë diplomatike. Pa folur këtu për ndonjë figurë profesionale ndërdisiplinore si në fushën juridike, e cila do të lidhej më së miri me problematikat e Të Drejtës së Autorit dhe të legjislacionit mbi punësimin apo kontratat e artistëve.
Një pengesë për gjetjen e punës është edhe mungesa e menaxherëve të artit…
Ajo që dihet dhe ndihet realisht është mungesa e menaxherëve të artit, të atyre që do të zbërthenin nevojat dhe kërkesat e kategorive të ndryshme të publikut shqiptar, si në qendër, ashtu edhe në periferi, mungesa e agjencive të përfaqësimit të artistëve të rinj apo dhe mbështetja shumë e kufizuar e artit në përgjithësi.
Nga kjo pikë vështrimi, nxitja dhe rritja e aftësive sipërmarrëse të të rinjve në kushtet e ekonomisë së tregut, do të ishte një zgjidhje, megjithëse jo e thjeshtë, për të krijuar tiparet e një cikli të mbyllur të produktit artistik dhe të vetë punësimit të artistëve në Shqipëri.
Cilat ishin alternativat që ju prezantuan të rinjve për tu integruar në treg?
Siç e thamë dhe më lart, dy janë opsionet kryesore: i pari ka të bëjë me fushën e organizatave jofitimprurëse dhe i dyti me sipërmarrjen e mirëfilltë private. Të dyja këto mundësi kërkojnë një pozicionim të qartë të të rinjve nga ana juridike, si për formulën e OJF-ve, ashtu edhe për biznesin e vog
