E Shtunë, 31 Tetor 2026

Remineshencat e Milosheviçit

08-01-2012 / Nga Redi Agolli

Zgjedhjet në Serbi fitohen me demagogji ultranacionaliste dhe Tadiç e di mirë këtë


Megjithëse “viza” e tij nga institucionet e Kosovës ishte “jo fjalë politike”, presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, shpalosi stereotipin e një populli i cili nuk ka evoluar në zinxhirin e civilizimit, por ka mbetur në hallkën e barbaritetit, duke lëshuar deklarata ultranacionaliste, për të kremtuar një festë e cila rezonon paqe, harmoni dhe dashuri njerëzore. "Kjo është toka jonë, Gëzuar Krishtlindjen"!- ky ishte urimi i presidentit Tadiç për Krishtlindjet Ortodokse. Përveçse theu besën dhënë institucioneve të Kosovës, Tadiç i ka dalë jashtë besës edhe ndërkombëtarëve, pasi megjithëse kishte deklaruar zyrtarisht se do të shpërbëjë strukturat paralele në Kosovë -kujtojmë këtu se kjo e fundit është kushti kryesor i BE-së ndaj Serbisë për të marrë statusin e vendit kandidat-në Manastirin e Deçanit, Tadiç është shprehur se kurrë nuk do të pranojë t’i shuajë institucionet paralele serbe në Kosovë, “sepse kjo do të thoshte shpërngulje afatgjate e serbëve nga Kosova”.


“Serbët në Kosovë pa to nuk do të mund të sigurojnë shkollimin, shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale”, ka thënë Tadiç. Ai ka ripërsëritur se kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Në pyetjen e gazetarëve se a do ta njohë ndonjëherë pavarësinë e Kosovës, është përgjigjur se përgjigjja e tij është shkurtër dhe e ditur: “Ju e dini përgjigjen time. Ajo është e shkurtër dhe e qartë–kurrë”. Deklarata të tilla filo-milosheviçiane, vijnë në kohën kur Tadiçin e ndajnë edhe 2 muaj nga zgjedhjet parlamentare, të cilat do të mbahen në mars të vitit që sapo hymë, e megjithëse në shtetet e Europës Lindore u ka ikur koha deklaratave ultra-nacionaliste për të fituar zgjedhjet, ku deklaratat për mirëqenie ekonomike janë busulla për të arritur fitore në zgjedhje, në Serbi, në shekullin XXI, vazhdojnë ende të funksionojnë demagogjitë ultra-nacionaliste për të korrur fitore elektorale, një stereotip ky i trashëguar edhe nga “Nëna Rusi”. Stalini, ia atribuoi meritën e fitores të Luftës së Dytë Botërore nacionalizmit të rusëve dhe jo socializmit. Në Rumani, Çaushesku erdhi në pushtet duke u premtuar rumunëve mbrojtje nga kthetrat e Rusisë. Pra siç tregojnë precedentët e mësipërm, demagogjitë ultranacionaliste i përkasin një shekulli të mbushur me gjak dhe frikë nga shfarosja, siç ishte shekulli XX, por jo shekullit XXI. Në Serbinë e Milosheviçit, këtij të fundit, për të fituar zemrat dhe mendjet e serbëve, nuk i mjaftonte komunizmi, prandaj ai e “çiftëzoi” atë me ultra-nacionalizmin, ku pjellat e këtij “çiftëzimi” u panë të ishin luftërat në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë. Serbia post-milosheviçiane, nën projeksionin e Perëndimit, duhet të ishte një Serbi tjetër, larg barbaritetit dhe demagogjive ultra-nacionaliste. Por nuk ndodhi kështu, dhe deklarata e Tadiçit dje në Kosovë nuk është as e para por as edhe e fundit. Për shqiptarë e Kosovës, të cilët janë nativë që nga kohërat kur Zoti bëri malin mal, fushën fushë, lumin lumë, dhe të masakruar nëpër shekuj nga serbët, një deklaratë e tillë–“Kjo është toka jonë”- është poshtëruese. Ajo u kujtoi shqiptarëve ligjërimet e Milosheviçit, masakrat e tij, prandaj gurët ndaj eskortës së Tadiç nuk do të ndaloheshin as nga Jezu Krishti, saqë ky i fundit nëse do të ishte aty pranë, “nuk do të thoshte –“kush nuk ka mëkatuar le të hedhë gurin e parë”, por do të thoshte- “ kush është shqiptar le të hedhë gurin e parë”.  

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›