Ideja për një pol politik larushan është pa të ardhme
Llogaritë për zgjedhjet e ardhshme kanë filluar të bëhen prej kohësh, duke u alternuar edhe me ato për zgjedhjen e presidentit të ri. Katër vjet jashtë parlamentit, krerët e partiçkave që kanë mbijetuar gjithnjë në kurriz të dy të mëdhave, po e ndiejnë tokën t’u rrëshqasë nën këmbë. Gjinushi dhe Milo përherë e më shumë po u bien kambanave të alarmit, me qëllim që të tërheqin vëmendjen e aleatit të tyre hundëpërpjetë, humbësit Rama, herë me tone vajtimi, herë me tone kushtrimi. Ngjela, nga ana e vet, duket se s’ka ndërmend të zgjohet nga ëndrrat me gjak e me llahtar, s’ka ndërmend të tërhiqet prej thirrjeve për marrjen e pushtetit me dhunë. Ndërkohë, Ndoka, më i mefshtë për nisma intelektuale se kolegët e vet opozitarë, por, çuditërisht, kësaj here paksa me nuhatje politike më të mprehtë, duket se ëndërron bashkimin e demokristianëve, të cilëve bëri çmos t’u jepte goditjen e fundit, me synimin që t’i copëtonte e t’i bënte kashtë e koqe. Mirëpo, tepër vonë. Kur të vijnë mendtë, s’t’i hanë as qentë. Liderët e tjerë demokristianë, me sa duket, nuk duan intrigantë dhe arrivistë në radhët e tyre, për çka mori teposhtë njëra prej partive tradicionale të politikës së kahershme shqiptare. Nëse koha do t’ua impononte bashkimin, ata do ta arrinin më lehtë mes vedi, sesa me Ndokën, tashmë letër e djegur.
Në këto kushte, liderët opozitarë të partiçkave satelite, duan – s’duan, i mbajnë sytë te reforma e pritshme zgjedhore dhe te Rama, i cili, si Xhaferri simiten, e ka humbur për vete orientimin e vërdalloset poshtë e lart, jo si personazhi i anekdotës me simite nën sqetull, por me kurban-editoriale nëpër site interneti.
Ditët e fundit, Milo u prononcua për “një pol të ri” brenda së majtës shqiptare, për “një formulë tjetër bashkëpunimi” në zgjedhjet e ardhshme, ku do të jetë në lojë “fati i zgjedhjeve dhe i vetë PS-së, si edhe fati i opozitës”. Duket sheshazi se Milo nuk i trembet edhe aq humbjes së sigurt të partisë së vet, ngase ai s’ka fituar ndonjëherë, sesa humbjes së PS-së, çka do ta linte atë vetë në stere të politikës, si peshkun pa ujë.
Milo, i cili me sa duket pretendon të marrë rolin e ideatorit brenda mbetjeve opozitare, si edhe të ushtrojë trysni mbi Ramën, shtihet sikur harron se “poli i ri” brenda së majtës, tashmë ekziston prej vitesh, qysh se Ilir Meta u shkëput me guxim nga PS-ja dhe formoi LSI-në, sot në koalicion qeverisës me qendrën e djathtë. Mirëpo ngutja e tij, nuk është aq e palexueshme. Ajo bëhet edhe më e lexueshme kur ai shpreh besimin se “polit të ri” do t’i shtohen edhe parti të tjera politike.
Cilat parti, pra, do të ishin ato që do t’i shtoheshin polit të ideuar prej Milos? Këtë ai nuk dëshiron ta thotë, hë për hë. Ndoshta do të shprehet më hapur, pas zgjedhjes së presidentit të ri. Megjithatë, si zor t’i shkojë nëpër mend se Meta do të braktisë koalicionin e suksesshëm me të djathtët, që të bëhet kurban i dështakëve të së majtës. Qeverisja aktuale e ka justifikuar veten si garante të reformave të kërkuara nga ana e BE-së, kurse LSI-ja, me profil të dukshëm pro europian, ka dhënë prova të mjaftueshme për vlerat e saj, qoftë në planin kombëtar, qoftë në atë ndërkombëtar. Nga ana tjetër, thuajse të gjitha partitë e spektrit politik shqiptar, majtas ose djathtas, tashmë janë pozicionuar dhe kanë gjetur vetveten. E vetmja shpresë që mban gjallë Milon për një shtojcë të mundshme, do të ishte partia në lindje e sipër prej lëvizjes Kuq e Zi. Në këto kushte, “poli i ri”, nuk do të ishte as i ri, as brenda së majtës, por një pol larushan në spektrin e përgjithshëm politik, diçka i ngjashëm me “Polin Qendrës” në Itali, të ideuar fillimisht prej demokristianit Kazini, të mbështetur më pas prej të majtit Ruteli dhe së fundi prej të djathtit Fini, i cili u shkëput prej partisë Populli i Lirisë, krijuar me nismën e tij dhe të Berluskonit nga Forca Italia (qendra e djathtë, e drejtuar prej të parit) dhe Aleanca Nacionale (e djathta konservatore italiane e drejtuar prej të dytit). Mirëpo “trojkën” Ruteli – Kazini – Fini nuk e bashkon asgjë përveç antiberluskonizmit. Nëse Milon me shokë, përfshi edhe shtojcën Topi, do t’i bashkonte vetëm antiberishizmi, siç edhe i bashkon në të vërtetë, koalicioni i tyre do të merrte fund qysh në pikënisje. Një çorbë politike asisoj, zor se do të gjendej stomak shqiptari që ta honepste. Nga ana tjetër, Berisha ka vërtetuar se ishte në gjendje t’u mbijetonte rrjedhave politike tepër kërcënuese që ndoqën 1997-n, kur protagonistë ishin edhe Milo, edhe Gjinushi me shokë. A thua të gjunjëzohet tashti që kryeson një koalicion të palëkundur, siç treguan ngjarjet e 21 janarit të vitit të kaluar e ato që pasuan, që ka votëbesimin e elektoratit, siç treguan zgjedhjet vendore të qershorit, dhe që gëzon përkrahjen e plotë të komunitetit ndërkombëtar?
Situatës politike aktuale mbase do t’i duhej një përforcim i mundshëm i polit të tretë, tashmë të përfaqësuar prej LSI-së, po të mbajmë parasysh bllokimin prej Edi Ramës të reformave që kërkonin shumicë vote të cilësuar, aq më tepër kur dihet se PD dhe PS janë mbështetur në edicionet e fundit të zgjedhjeve nga një numër votuesish thuajse të barabartë. Me sa duket, sistemi dypartiak që synoi të instalonte reforma e kaluar zgjedhore, nuk funksionoi në të gjithë parametrat e menduar. Konfiguracioni politik i elektoratit në Shqipëri, si edhe faza tranzitore e ndërtimit të një shoqërie demokratike, të pjekur e të qëndrueshme, bënë që të triumfonte aventurizmi dhe kryeneçësia e Edi Ramës dhe e kastës së tij. Le të kujtojmë zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë në Kryeqytet, ku elektorati u nda më dysh, thua se një dorë e padukshme i ndau votat sa djathtas, aq edhe majtas, kurse fati i zgjedhjeve, në mungesë edhe të vullnetit të Presidentit Topi për të garantuar funksionimin normal të Kushtetutës, hyri në një spirale të ngatërruar. Ndërsa përpjekjet e ndërkombëtarëve për të shtruar kryeneçin Rama dhe për ta ulur në tryezën e bisedimeve nuk dhanë asnjë fryt, me gjithë kërcënimet se Shqipërisë nuk do t’i akordohej statusi i vendit kandidat në BE, siç edhe ndodhi në të vërtetë.
Pra, nëse politika shqiptare do ta ndiente nevojën e përforcimit të polit të tretë që do të garantonte të ardhmen europiane të vendit dhe që do të nxirrte jashtë loje liderë të papërgjegjshëm për fatet e kombit si Edi Rama ose ndonjë tjetër që mëton të ndjekë shembullin e tij, zgjidhja tashmë ekziston. Ajo ka hyrë në lojë fill pas zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit 2009. Sot, poli i tretë, i përfaqësuar prej LSI-së, i ka të gjitha shanset të përforcohet prej rrjedhjeve të partisë së Ramës, të cilat nuk janë pak, qoftë si sasi, qoftë si cilësi. Ndërkohë, Milos dhe vocërrakëve liderë të opozitës, do t’u duhet të tundin vetëm këmborët e Ramës, nëse nuk duan të dalin në pension të parakohshëm.
...