BM – Aeroporti i Heathrow i mbyllur përgjatë gjithë ditës, pas zjarrit në nënstacionin elektrik

LONDËR, 21 mars /ATSH-DPA/ – Më shumë se 1 300 fluturime për dhe nga aeroporti Heathrow do të ndërpriten sot për shkak të mbylljes së aeroportit të Londrës, pas një zjarri në një nënstacion elektrik aty pranë.
Mijëra shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike dhe më shumë se 100 njerëz u evakuuan pasi mori flake një transformator brenda nënstacionit elektrik North Hyde në perëndim të Londrës.
Heathrow është aeroporti më i madh në Mbretërinë e Bashkuar, me më shumë se 83,9 milionë pasagjerë që udhëtonin nëpër terminalet e tij në vitin 2024.
Një zëdhënës i Heathrow tha se “vazhdon te ketë një ndërprerje të konsiderueshme të energjisë në të gjithë aeroportin Heathrow, për shkak të një zjarri të madh në një nënstacion elektrik aty pranë. Teksa ekipet e zjarrfikësve po merren me incidentin, ne nuk e kemi të qartë se kur mund të rikthehet energjia elektrike”.
”Për të ruajtur sigurinë e pasagjerëve dhe kolegëve tanë, ne nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të mbyllim Heathrow deri në orën 23:59 më 21 mars 2025. Pritet të ketë ndërprerje të konsiderueshme gjatë ditëve në vijim dhe pasagjerët nuk duhet të udhëtojnë drejt aeroportit në asnjë rrethanë derisa ky i fundit të rihapet”, shtoi ai.
“Ne do të japim një përditësim kur të ketë më shumë informacion mbi rifillimin e operacioneve.E dimë se kjo do të jetë zhgënjyese për pasagjerët dhe duam t’iu sigurojmë se po bëjmë çmos për t’i dhënë një zgjidhje kësaj situate”, tha zëdhënësi.
Shërbimet online të gjurmimit treguan se fluturimet po devijoheshin në Gatwick, aeroportin ”Charles de Gaulle” në Paris dhe aeroportin Shannon të Irlandës si dhe aeroportet në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada.
Aeroporti Gatwick konfirmoi se kishte pranuar shtatë fluturime të devijuara nga vende të ndryshme duke përfshirë Singaporin, Johannesburg-un, Lagos-in, Cape Town dhe Doha-n, të cilat fillimisht ishin drejtuar për në Heathrow.
Zjarrfikësit shpëtuan 29 persona nga zona përreth.
Pamjet e postuara në mediat sociale treguan flakë të mëdha dhe shtëllunga të mëdha tymi që dilnin nga objekti.
Ata thanë se kishin marrë rreth 200 telefonata në lidhje me incidentin.
Shkaku i zjarrit mbetet ende i papërcaktuar./ /b.n/