E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

BM – Badenoch: Britanikët duhet të luftojnë për lirinë e fjalës, që ndodhet nën kërcënim

LONDËR, 16 shkurt /ATSH-DPA/ – Udhëheqësja e Partisë Konservatore të opozitës britanike, Kemi Badenoch deklaroi se liria e fjalës është e kërcënuar dhe se britanikët duhet të luftojnë për lirinë e saj.

Komentet e saj për ”Sunday Telegraph” vijnë pas pretendimeve të zëvendëspresidentit amerikan, JD Vance se ”liria e shprehjes ishte në tërheqje në të gjithë BM-në dhe më gjerë në Evropë”.

Badenoch u bëri thirrje britanikëve të luftojnë për lirinë e fjalës duke thënë se ajo mbështet ata që “vënë në dyshim status quo-në”.

”Fjala e lirë është e çmuar dhe nën kërcënim. Ne duhet të luftojmë për të. Ajo sfidon ortodoksitë e rrezikshme dhe sjell ndryshimin”, tha ajo. .

”Heshtja e fjalës së lirë dëmton demokracinë, kulturën dhe qëndrueshmërinë individuale. Pa fjalën e lirë, idetë e rreme lulëzojnë të pakundërshtuara”, theksoi Badenoch.

Komentet e Vance u bënë të premten në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

Vance pretendoi se ”erozioni i fjalës së lirë përbën një kërcënim më të madh për Mbretërinë e Bashkuar sesa Rusia apo Kina”.

Në një sulm më të gjerë ndaj asaj që ai sugjeroi se është një zhvendosje nga vlerat demokratike në të gjithë Evropën, Vance pretendoi se “liritë themelore të britanikëve fetarë, në veçanti” janë nën kërcënim.

Duke folur në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Vance tha se “miqtë shumë të dashur të SHBA-së, ata nga Mbretëria e Bashkuar” dukej se kishin parë “një rënie në të drejtat e tyre”./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›