Shijak, zbardhet dhe goditet një grup i strukturuar për vjedhje

TIRANË, 16 shkurt/ATSH/- Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin e koduar “Theft Network”, duke vënë në pranga katër persona dhe shpallur në kërkim një tjetër, të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal që kryente vjedhje në qarkun e Durrësit dhe Tiranës.
Sipas njoftimit zyrtar, grupi dyshohet se ka kryer vjedhje të mjeteve lundruese, automjeteve, banesave dhe bizneseve, ndërsa deri më tani janë dokumentuar katër raste specifike në Sukth, fshatin Bilalas dhe Mullet, Tiranë.
Të arrestuarit janë: D.S., 26 vjeç, banues në Marikaj; D.M., 18 vjeç, banues në Shkodër; E.M., 38 vjeç, banues në Mamurras; A.L., 48 vjeç, banues në Mamurras. Ndërkohë, vijon kërkimi për shtetasin E.Z., 49 vjeç, banues në Tiranë.
Si rezultat i hetimeve, janë sekuestruar një skaf, një automjet tip kamionçinë, si dhe disa sende të tjera që do të shërbejnë si prova materiale në procesin hetimor.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme ligjore.
/a.f/