BM – Miliona njerëz votojnë sot në zgjedhjet e përgjithshme

LONDËR, 4 korrik /ATSH-DPA/- Miliona njerëz në të gjithë Britaninë e Madhe do të votojnë sot në zgjedhjet e përgjithshme të vendit – ndërsa sondazhet kanë sugjeruar se Partia Laburiste e qendrës së majtë është në rrugën e duhur për të siguruar një shumicë të madhe në Dhomën e Komuneve dhe për të formuar një qeveri të re.
Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 7:00 e mëngjesit deri në 22:00.
Në atë që mund të jetë dita e tij e fundit me titullin Kryeministër – Rishi Sunak u kërkoi votuesve të “shpëtojnë Britaninë e Madhe” nga laburistët duke votuar konservatorët.
Sunak shoqerohej nga prindërit dhe bashkeshortja e tij, Akshata Murty gjatë fjalimit të fundit të fushatës zgjedhore.
“Imagjinon një Britani të Madhe që ecën përpara së bashku me një qeveri laburiste”, tha lideri laburist Keir Starmer – në fjalimin e tij të fundit të fushatës zgjedhore – duke nxitur votuesit ta votonin.
Si i preferuari për të qenë kryeministri i ardhshëm, Starmer tha se ishte i kënaqur me fushatën e Laburistëve dhe se partia e tij ishte “gati për atë që do të vinte më pas”.
Sipas sondazheve të shtatë ditëve deri më 3 korrik, Laburistët janë mbështetur me 39% të votave – vlerësimi më i ulët i partisë që nga fillimi i fushatës, 18 pikë përpara Konservatorëve (21%), e ndjekur nga “Reforma” populiste e krahut të djathtë në Britaninë e Madhe me 16%, Liberal Demokratët e qendrës me 11% dhe të Gjelbërit me 6%.
Konservatorët kanë shënuar një rritje të lehtë në krahasim me shifrat e javës së kaluar, ndërsa laburistët janë në rënie, për shtatë ditët deri më 26 qershor laburistët janë mbështetur me 41%, konservatorët 20%, “Reforma” 16%, liberal demokratët 11% dhe të gjelbërit 6%.//a.i/