SHBA – Biden: Nuk po tërhiqem nga gara presidenciale

TIRANË, 4 korrik /ATSH/- Presidenti i SHBA-se, Joe Biden është përpjekur të qetësojë demokratët dhe stafin e lartë, pasi raportet sugjeruan se ai po rrezikonte kandidaturën e tij, pas debatit katastrofik me Donald Trump javën e kaluar, sipas BBC.
Biden zhvilloi nje takim me dyer të mbyllura me zëvendëspresidenten Kamala Harris në Shtëpinë e Bardhë, mes spekulimeve se ajo do ta zëvendësonte atë si kandidate e partisë në zgjedhjet e nëntorit.
Më pas, dyshja iu bashkua fushatës elektorale, ku Biden bëri të qartë se do të qëndronte në garë ndërsa Harris rikonfirmoi mbështetjen e saj.
“Unë jam kandidati i Partisë Demokratike. Askush nuk po më nxit të tërhiqem. Unë nuk po largohem”, tha Biden në fjalimin e tij.
“Më lejoni ta them këtë sa më qartë dhe thjesht: Unë jam duke kandiduar”, tha Biden duke shtuar se ai ishte “në këtë garë deri në fund”.
Pyetjet janë ngritur nëse 81-vjeçari do të vazhdojë fushatën e tij pas debatit me Trump, i cili u karakterizua nga boshllëqe verbale, një zë i dobët dhe disa përgjigje që ishin të vështira për t’u ndjekur.
Debati mes dy rivalëve ngjalli shqetësim në qarqet demokrate rreth përshtatshmërisë së Biden për postin presidencial dhe aftësisë së tij për të fituar zgjedhjet.
Presioni ndaj Biden për t’u larguar është rritur gjatë ditëve të fundit, pasi shumë sondazhe treguan se epërsia e rivalit të tij republikan është zgjeruar.
Një sondazh i “The New York Times” i kryer pas debatit, i cili u publikua dje, sugjeroi se Trump tani po mban epërsinë e tij më të madhe në gjashtë pikë.
Dhe një sondazh i veçantë i publikuar nga “CBS News”, sugjeroi se Trump ka një avantazh prej tre pikësh ndaj Bidenit në shtetet vendimtare të fushëbetejës.
Ky sondazh tregoi gjithashtu se ish-presidenti Trump po kryeson në nivel kombëtar.//a.i/