BM – Qeveria në takim urgjent mes trazirave të ekstremit të djathtë

LONDËR, 5 gusht /ATSH-DPA/- Qeveria e Britanisë së Madhe thirri sot një takim urgjent – në ditën e gjashtë të trazirave – ku disa rebelë sulmuan hotelet që strehonin azilkërkuesit.
Policia u përlesh me turmat ndërsa dhuna në përshkallëzim – një javë pas sulmit me thikë në qytetin veriperëndimor anglez Southport, ku u vranë tre vajza të vogla – vazhdoi në të gjithë vendin gjatë fundjavës.
Më shumë se 300 persona janë arrestuar në më pak se një javë.
Thirrjet për përfshirjen e ushtrisë deri më tani janë hedhur poshtë, ndërsa qeveria ka këmbëngulur se policia ka tashmë burimet e nevojshme për t’iu përgjigjur demonstratave.
Kryeministri Keir Starmer iu drejtua kombit të dielën – mes sfidës më të madhe të postit të tij deri më tani, duke u thënë autorëve se do të pendoheshin për përfshirjen e tyre në grupet e ekstremit të djathtë – dhe duke u premtuar atyre që ishin përfshirë në trazira se do të përballeshin me fuqinë e plotë të ligjit.
Por, pavarësisht zotimeve për t’i trajtuar rastet shpejt, doli që të akuzuarit për përfshirje në trazirat në Bristol nuk do të përballeshin në gjykatë deri në shtator.
Zyra e Brendshme mori masa urgjente të dielën për t’u siguruar që xhamive t’u ofrohet mbrojtje shtesë.
Organizata Tell Mama, e cila monitoron sulmet anti-myslimane, tha se kishte thirrur policinë – pasi kishte identifikuar kërcënime nga e djathta ekstreme në Telegram – që synojnë avokatët e migracionit dhe shërbimet e refugjatëve – në më shumë se 30 vende në të gjithë vendin.
Ndër skenat e fundit të trazirave të përhapura dhe të vazhdueshme, të cilat shpërthyen pas sulmit me thikë të javës së kaluar në Southport, ishin rebelët kundër migracionit – të cilët thyen dritaret e Holiday Inn Express në qytetin verior të Rotherham në fundjavë përpara se të fillonin zjarret. //a.i/