E Diel, 1 Nëntor 2026

BM – Sulmi kibernetik në tre aeroporte ekspozon të dhënat e 8,7 milionë klientëve

LONDËR, 27 gusht /ATSH-DPA/ – Tre aeroporte kryesore të Mbretërisë së Bashkuar janë goditur nga një incident sigurie kibernetike në të cilin janë aksesuar të dhënat e rreth 8,7 milionë klientëve, tha ”Manchester Airport Group” (MAG).

Kompania, e cila operon aeroportet e Mançesterit, ”Stansted” dhe ”East Midlands”, tha se “në asnjë moment nuk është kompromentuar siguria e pasagjerëve ose siguria e aviacionit” gjatë incidentit dhe as MAG dhe as sistemi i hakuar nuk kanë mbajtur të dhënat bankare ose të pagesave të klientëve.

Kuptohet që shumica e të dhënave të aksesuara ishin të kufizuara në adresat e email-it të klientëve dhe lidheshin me regjistrimet Wi-Fi brenda terminaleve të aeroporteve.

”Numrat e telefonit, numrat e regjistrimit të automjeteve dhe kodet postare u aksesuan gjithashtu gjatë hakerimit”, tha kompania, ndërsa operacionet në të tre aeroportet mbetën “të paprekura”.

Një zëdhënës i MAG tha sot se “Grupi i Aeroporteve të Mançesterit ka qenë subjekt i një incidenti sigurie kibernetike nga një palë e tretë e paautorizuar”.

“Është marrë një sasi e të dhënave të klientëve që lidhen me rezervimet e parkimit të makinave, sallës së pritjes dhe pistës së shpejtë, si dhe regjistrimet në Wi-Fi brenda aeroportit në aeroportet e Mançesterit, Stansted dhe East Midlands”, tha ai.

“Ne menjëherë e përmbajtëm rrezikun dhe kemi punuar me këshilltarë specialistë dhe kemi ndërmarrë hapat e duhur për të mbrojtur klientët dhe sistemet tona. Ne kemi informuar dhe po punojmë me autoritetet përkatëse. Në asnjë moment nuk është kompromentuar siguria e pasagjerëve ose siguria e aviacionit. Incidenti nuk ka rezultuar në ndonjë ndërprerje operacionale. Operacionet e aeroportit mbeten të paprekura dhe shërbimet e parkimit të klientëve vazhdojnë të funksionojnë normalisht”, theksoi ai.

Më shumë se 32 milionë pasagjerë fluturuan për/nga aeroporti i Mançesterit vitin e kaluar, ndërsa më shumë se 30 milionë udhëtuan përmes ”Stansted”, në Essex, dhe katër milionë përmes ”East Midlands” në Leicestershire./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›