E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Ripërtëritja e PD-së, kushti themelor për të fituar besimin masiv të shqiptarëve

TIRANË, 27 gusht/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se ripërtëritja e PD-së është kushti themelor për të fituar besimin masiv të shqiptarëve.

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Berisha u shpreh se sot çdo demokrat duhet të jetë i frymëzuar për ripërtëritjen.

“Nëse fjala rithemelim ia doli të shpëtojë PD-në nga tentativat e Edi Ramës për ta vendosur atë nën kontroll, tani motoja ripërtëritje do të bëjë të mundur ardhjen e PD në pushtet.
Kaq jetike është pra ripërtëritja sepse sot Shqipëria është në sallë urgjence. Është në nevojë jetike për ripërtëritje”, shtoi ai.

Ndërsa nënvizoi rëndësinë e ripërtëritjes së PD-së, Berisha theksoi se “Shqipëria është në kushte të një krize të thellë të gjithanshme”.

“Ekonomia shqiptare duhet të ripërtërihet më së pari. Minimumi jetik, heqja e TVSH-ë për ushqimet bazë është emergjencë e të gjitha emergjencave. Një ekonomi me rënie pikatë të prodhimit. Por në qoftë se bie prodhimi, do të thotë shkatërrim masiv i vendeve të punës”, shtoi Berisha.

Berisha garantoi se “qëndrimi i PD-së do të jetë zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe karteleve të drogës”.

“Agjenci kombëtare për gjetjen, hetimin, konfiskimin e të gjitha pasurive të paligjshme të narkoqeveritarëve, klaneve të biznesit, oligarkëve, narkotrafikantëve. Shqipëria e ka urgjencë ripërtëritjen sepse shqiptarët sot kanjë rrogat dhe pensionet më të ulëta në rajon dhe në Evropë, nga më të lartat në rajon që i kishin gjer në vitin 2013. Korrupsioni i papërmbajtur ka rrënuar sistemin shëndetësor. Shëndetësia në koma duhet të ripërtërihet dhe ky është zotimi ynë”, shtoi ai.

Po ashtu Berisha theksoi se Shqipëria ka nevojë për ripërtëritjen urgjente të arsimit, i cili po rrokulliset çdo vit e më poshtë.

“Përparësi absolute sistemi arsimor, ky ka qenë dhe mbetet thelbi i programit tonë. Po ashtu turizmi dhe ndërtimi duhet të çlirohen nga kapitali kriminal”, vijoi Berisha.

Sipas tij, “duhet rikthyer shpresa e humbur në këtë dekadë dhe duhet luftuar me shpopullimin”.

Kreu i PD-së deklaroi se në epiqendër të ripërtëritjes së PD-së do të jetë anëtari.

“Partia Demokratike ka një potencial të jashtëzakonshëm njerëzor. Ka personalitete me merita, ka drejtues të sprovuar. Por ka vetëm një kusht që këta të qëndrojnë në krye të misionit të tyre: ripërtëritje. Dhe duhet ta pranojmë këtë”, shtoi ai.

“Anëtarësia e PD-së për nga numri është shumë e madhe, janë 40-50 mijë anëtarë. Ndonëse janë një potencial i madh, po s’mund të kënaqemi ne me kaq. Nuk pranohet më letargji në radhët tona”, shtoi ai.

Po ashtu Berisha prezantoi edhe studimin e Institutit Republikan, ndërsa u shpreh se “PD nuk përballet me krizë idesh apo lidershipi, por i duhet një platformë digjitale e centralizuar si sistem operativ i partisë”.

“Ky dokument, propozon zhvillimin e një platforme digjitale të brendshme dhe të centralizuar, e cila do të shërbejë si sistemi operativ i partisë. Platforma nuk është konceptuar si një përmirësim i thjeshtë teknologjik, por si një instrument strukturor i projektuar për të vendosur qartësi, disiplinë, llogaridhënie në operacionet e përditshme. Ajo do të jetë vendi ku vendimet përkthehen në mesazhe, mesazhet në veprime të koordinuara dhe veprimet në rezultate të matshme”, shtoi Berisha.

/m.m/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›