E Enjte, 5 Nëntor 2026

BM – Udhëheqësit evropianë diskutojnë migracionin dhe mbështetjen për Ukrainën në samitin e EPC

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ – Udhëheqësit nga e gjithë Evropa u mblodhën sot në rezidencën madhështore në Blenheim Palace, në Britani të Madhe – në kuadër të samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPC) – mes shqetësimeve nëse SHBA-ja do të mbetet një aleate e besueshme nëse Donald Trump fiton zgjedhjet presidenciale në nëntor, sipas AP.

Kryeministri i sapozgjedhur i Britanisë së Madhe Keir Starmer mirëpriti rreth 45 krerë qeverish për të diskutuar për migracionin, sigurinë energjetike dhe kërcënimin nga Rusia, ndërsa ai kërkon të rivendosë marrëdhëniet midis BM-së dhe fqinjëve të saj të Bashkimit Evropian, katër vjet pas Brexit.

Starmer tha gjatë mbledhjes së Komunitetit Politik Evropian se Britania e Madhe planifikon të marrë një rol më aktiv në skenën botërore, veçanërisht kur bëhet fjalë për luftën e Ukrainës kundër pushtimit rus dhe bandave të trafikimit të qenieve njerëzore që organizojnë migrimin e parregullt.

Ai u tha liderëve se nën drejtimin e qeverisë e tij, BM-ja do të ishte një mike dhe një partnere, e gatshme për të punuar – jo vetëm me disa vende të Bashkimit Evropian, por edhe me shumë vende të tjera të Evropës.

“Britania e Madhe nuk fokusohet te dallimet mes njeri tjetrit, por te vlerat që ne ndajmë”, tha Starmer.

“Detyra jonë e parë këtu sot është të konfirmojmë mbështetjen tonë të palëkundur për Ukrainën, të bashkohemi edhe një herë pas atyre vlerave që ne i çmojmë dhe të themi se së bashku do të përballemi me agresionin në këtë kontinent”, tha ai, duke shtuar se kërcënimi nga Rusia “arrin pikërisht në të gjithë Evropën.”

Lista e të ftuarve përfshin kancelarin gjerman Olaf Scholz, presidentin francez Emmanuel Macron, kryeministren italiane Giorgia Meloni, kryeministrin polak Donald Tusk dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Ky është samitit i katërti i EPC, një ide e Macron. Ai u krijua në vitin 2022 si një forum për vendet brenda dhe jashtë BE-së 27-vendesh – pasi pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia shkatërroi ‘ndjenjën e sigurisë’ në Evropë.

Takimet e mëparshme të grupit janë mbajtur në kryeqytetin çek, Pragë; Kishinau, Moldavi; dhe Granada, Spanjë.

Qeveria e qendrës së majtë të Starmer synon të rindërtojë lidhjet me BE-në të tendosura që pas Brexit. Një prioritet kyç është një pakt i ri sigurie midis BM-së dhe BE-së që Starmer shpreson ta arrijë së shpejti.

Britania e Madhe ka planifikuar të punojë më ngushtë me agjencinë evropiane të policisë “Europol” për të luftuar rrjetet ndërkombëtare të trafikimit të qenieve njerëzore, pjesë e masave për të forcuar sigurinë kufitare pas vendimit të Starmer për të anuluar planin e diskutueshëm dhe të parealizuar të konservatorëve për të dërguar emigrantët që mbërrijnë në BM me anije në Ruandë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›