KOMENT – Meloni akuzon OJQ-në ”Sea-Watch” për injorim të rolit të trafikantëve të qenieve njerëzore

TRRIPOLI, 18 korrik /ATSH-DPA/ – Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni ka akuzuar një organizatë gjermane të kërkim-shpëtimit se ka injoruar rolin e trafikantëve të qenieve njerëzore në vdekjen e mijëra njerëzve, në përgjigje të akuzave se ajo po punonte për një politikë distopike migracioni me Libinë.
Organizata joqeveritare gjermane ”Sea-Watch” akuzoi dje qeverinë e krahut të djathtë të Melonit dhe kryeministrin libian Abdul-Hamid Dbeibeh se po punonin për një politikë që e cilësoi si distopike dhe u uroi atyre “gjithë të keqen nga thellësia e zemrës”.
Komenti u postua pasi Meloni vizitoi vendin e Afrikës së Veriut të mërkurën, së bashku me ministrin e Brendshëm italian, Matteo Piantedosi.
Bregdeti libian është pika e nisjes për shumë emigrantë të parregullt që shkojnë drejt Italisë.
Meloni u përgjigj duke akuzuar ”Sea-Watch” se nuk tha asgjë në lidhje me rolin e trafikantëve të qenieve njerëzore që “u pasuruan duke vrarë mijëra njerëz”, duke shtuar se ajo kishte udhëtuar në Libi për të tentuar të ndalonte migrimin e paligjshëm në Evropë përmes Mesdheut.
Në Forumin e Migracionit Transmesdhetar në Tripoli, Meloni bëri thirrje për t’i dhënë fund trafikimit të qenieve njerëzore.
”Qeveria italiane do të vazhdojë të punojë për të ndaluar trafikimin e qenieve njerëzore, imigrimin e paligjshëm dhe vdekjet në det”, tha Meloni duke iu drejtuar direkt ”Sea-Watch” në X.
“Edhe nëse [Sea-Watch] i pëlqen apo jo”, shtoi ajo.
Roma prej vitesh po lufton me përpjekjet e organizatave civile vullnetare që shpëtojnë emigrantët që përpiqen të arrijnë në Itali ilegalisht përmes Mesdheut.
Qeveria e Melonit ka miratuar një ligj që detyron organizatat e shpëtimit të drejtohen në një port të caktuar menjëherë pasi të marrin emigrantët, pa vazhduar patrullimin e tyre për të kërkuar të tjerë./ a.jor.