E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi përkujton 82-vjetorin e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë

TIRANË, 26 qershor /ATSH/ Kuvendi me nismën e deputetëve Ardit Bido, Mesila Doda, Brunilda Haxhiu, në bashkëpunim me shoqatën patriotike “Çamëria”, me rastin e 82-vjetorit të ditës së gjenocidit mbi shqiptarët, organizoi sot veprimtarinë përkujtimore me temë: “82-vjetori i gjenocidit mbi shqiptarët e Çamërisë”.

Në këtë aktivitet të pranishëm ishin deputetë, studiues, përfaqësues të komunitetit çam, si dhe personalitete të jetës publike e akademike.

Seanca u drejtua dhe moderua nga deputetja Mesila Doda, e cila falënderoi të pranishmit dhe vlerësoi kontributin e tyre për çështjen e Çamërisë.

Seanca u hap me himnin kombëtar dhe më pas nga të pranishmit u mbajt një minutë heshtje në nderim të shpirtrave të humbur dhe jetëve të marra në mënyrë të padrejtë.

Më pas u shfaq dokumentari “Nuk të harroj Çamëri” mbi gjenocidin me rrëfime ekskluzive të të mbijetuarve të masakrave në Çamëri.

Fjalën e hapjes e mbajti deputetja Mesila Doda, e cila e konsideroi shumë të rëndësishme, traditën e përkujtimit të 27 qershorit, si ditën e gjenocidit mbi shqiptarët e Çamërisë, në sallën e seancave plenare në Kuvendin e Shqipërisë.

Doda në vijim foli për zgjimin e ndërgjegjes së kombit dhe hapat zyrtarë të ndërmarrë për të mbajtur të gjallë dhe për ta vendosur në aktualitet çështjen e shqiptarëve të Çamërisë, ku ndër të tjera theksoi rezolutën për Çamërinë në vitin 2013, të cilën e cilësoi “si një betejë e palodhur por edhe një gur kilometrik”. Një akt tjetër të rëndësishëm të bërë, Doda theksoi rezolutën e cila i kërkon shtetit grek heqjen e ligjit të luftës me Republikën e Shqipërisë, ligj të cilin e quajti “një ligj arkaik e rudiment historik i cili mbahet ende në këmbë si atavizëm për të kërcënuar marrëdhëniet tona me fantazmën e një lufte të shekullit të kaluar”.

“Çdo qeveri e ka detyrim të trajtoje këtë çështje në bisedimet me fqinj”, Doda.

Liljan Idrizaj, kryetar i Shoqatës Patriotike “Çamëria” në fjalën e tij e konsideroi këtë ditë domethënëse pasi “kjo na bën të kujtojmë që nuk jemi ne, që i bëjmë nder kauzës legjitime të shqiptarëve të Çamërisë por është ajo që na bën nder ne, duke na bashkuar rreth një emëruesi të përbashkët Shqiptarisë”. Më tej Idrizaj shtoi se kjo ditë dhe ky aktivitet është rasti më i mirë për t’i kthyer sytë nga historia, jo me frymën e viktimizimit, por me vërtetësinë dhe dinjitetin që meriton çështja çame.

Edhe Ardit Bido, deputet i qarkut Vlorë, në fjalën e tij mes të tjerash tha se çështja çame nuk është një çështje kundër Greqisë, por është një çështje e të drejtave të njeriut, e të drejtës së pronës, e kujtesës historike, çështje dinjiteti.

Në përfundim Bido dha një mesazh, ku nënvizoi se: “kemi detyrimin moral që çdo vit ta përsërisim se viktimat nuk harrohen, historia nuk fshihet, dinjiteti nuk negociohet”

“Ne nuk kërkojmë hakmarrje, kërkojmë kujtesë, nuk kërkojmë armiqësi, kërkojmë drejtësi, nuk kërkojmë të ndryshojmë historinë, kërkojmë që historia të mos mohohet”, tha Bido.

Brunilda Haxhiu, deputete e qarkut Fier, në fjalën e saj shprehu krenarinë për prejardhjen e saj dhe e konsideroi të rëndësishme “mundësinë për të folur për gjenocidin që shqiptarët e Çamërisë përjetuan 82 vjet me parë, masakër të cilën gjyshërit tanë e përjetuan, por nuk e flisnin dot” tha Haxhiu e cila më tej u ndal në historinë e masakrave ndaj popullsisë çame të udhëhequra nga Napoleon Zerva.

Në aktivitet e morën fjalën dhe Alketa Ipeku, Enxhi Hasani nga Shoqata Patriotike “Çamëria” të cilat gjithashtu shprehën krenarinë për prejardhjen dhe kërkuan që çështja Çame të trajtohet me dinjitetin dhe seriozitetin që meriton. Marenglen Kasmi, drejtor i Qendrës së Botimeve Albanologjike dhe Enciklopedike në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, mbajti një kumtesë të shkurtër historike për shqiptarët e Çamërisë në fund të luftës së Dytë Botërore, burimet arkivore duke shtuar se kërkimi shkencor për këtë temë ka ecur me dekada paralelisht me debatet politike.

Të pranishmit diskutuan mbi historinë e Çamërisë, hartimin e historikut të Çamërisë, zgjidhjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut, ku kërkuan mbrojtjen me dinjitet të çështjes çame dhe kërkuan dinjitet e drejtësi, të cilat i shohin si tipare thelbësore të kauzës së tyre.

Aktiviteti u mbyll me vallen tradicionale popullore të shqiptarëve të Çamërisë, Vallen e “Osman Takës” nga grupi i valleve të djemve.

Në përfundim të pranishmit vizituan në ambientet e jashtme të Parlamentit një ekspozitë me foto të figurave dhe personaliteteve të shquara të krahinës së Çamërisë.

Aktivitet në Kuvend me rastin e 82-vjetorit të ditës së gjenocidit mbi shqiptarët e Çamërisë, f... 1 nga 15

/m.q/j.p/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›