BMB Prishtina deklasoi Istanbul SK
Kampioni i Kosovës në futsall, BMB Prishtina të shtunën e ka mposhtur kampionin e Turqisë, Istanbul SK, me rezultat të thellë 8:3, në ndeshjen miqësore që është zhvilluar në kryeqytet para rreth 1 mijë shikuesve.
Prishtinasit, të udhëhequr nga Suad Keçi, u treguan shumë të fortë për turqit gjatë gjithë ndeshjes. Madje edhe mysafirët u befasuan me lojën e kampionit të Kosovës.
Ata thanë se është mëkat që BMB Prishtina nuk merr pjesë nëpër gara evropiane. “BMB Prishtina u tregua ekip shumë cilësor dhe i fortë. Suad Keçi ishte fenomenal e i pandalshëm dhe bartës i lojës. Ky ekip e meriton të luajë në Evropë dhe mbes me shpresë që UEFA ta lejojë të luajë nëpër gara evropiane”, ka pohuar pas ndeshjes trajneri i Istanbul SK, Murat Kaya. Ai tha se skuadra e tij do ta ftojë BMB Prishtinën edhe në Stamboll për ta zhvillu një miqësore të ngjashme.
Edhe vetë BMB Prishtina është bindur tashmë se ka kapacitet për të marrë pjesë në gara evropiane. “Nuk e patëm aq vështirë ta mposhtim kampionin turk, edhe pse kemi pritur ma shumë nga kjo skuadër. Por, ne dëshmuam se kemi ekip cilësor dhe mbesim me shpresë që sa më shpejt UEFA të na lejojë të marrim pjesë në gara evropiane. BMB Prishtina, futsalli ynë dhe futbolli ynë e meriton këtë”, tha lojtari kyç i prishtinasve, Suad Keçi.
Nga dy gola për BMB Prishtinën në këtë takim i shënuan Suad Keçi, Ramadan Alaj e Azem Brahimi, kurse nga një gol tjetër e realizuan edhe Fadil Goli e Artan Mulaku. Ndërsa golat për nikoqirët i shënuan Ozutok, Ozdmar dhe Gok.
Kjo ishte ndeshja e pestë ndërkombëtare që e zhvillon BMB Prishtina në kryeqytet, ndërsa ndeshjen e radhës pritet ta zhvillojë shumë shpejt ndaj kampionit kroat.