Hajni “vetë-arrestohet”

Një keqbërës u arrestua nga policia e Charlottes, në Karolinën e Veriut, SHBA, pasi në shtëpinë e grabitur prej tij kishte harruar një bluzë, në të cilën ishte shtypur pikërisht fytyra e tij.
Sipas rindërtimit të policisë, Jonathan Huntley, hyri për të vjedhur në një vilë kur askush nuk ndodhej i pranishëm në të, por gjatë vjedhjes, harroi bluzën që kishte veshur, pasi gjatë vjedhjes ishte bërë vapë dhe ai s’po i rezistonte.
Në daljen nga shtëpia, ai harroi që të ri-vishte fanellën, përpara se të largohej.
Me bluzën në dorë, policia mund të kryente testin e ADN-së, por gjërat u lehtësuan shumë, pasi ajo ishte bërë prej vetë keqbërësit, që mbi pjesën e përparme të bluzës kishte shtypur fytyrën e tij.
Menjëherë pas krahasimit të fytyrës në bluzë me të dhënat kompjuterike të policisë, u bë ballafaqimi dhe keqbërësi 25-vjeçar u arrestua brenda disa orësh.