Rriten çmimet e prodhimit
Çmimet e prodhimit në tremujorin e katërt të vitit të kaluar kanë shënuar ngritje për 2.3 për qind, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2009.
Të dhënat e Entit të Statistikave të Kosovës tregojnë se vetëm në tremujorin e katërt të vitit 2010 çmimet e prodhimit kanë shënuar rritje për 0.8 për qind në krahasim me periudhën e tremujorit të tretë të 2010. Ngritje më të mëdha sipas këtyre të dhënave vërehen tek industria e produkteve ushqimore dhe e pijeve 4.4 për qind, prodhimi i produkteve prej gome dhe plastike 3.9 për qind, industri të tjera nxjerrëse 2.9 për qind, prodhimi i kemikaleve dhe produkteve kimike 2.6 për qind dhe prodhimi i metaleve 1.4 për qind.
Kjo ngritje u neutralizua nga rënia në artikujt e degëve të veprimtarive ekonomike te prodhimi i produkteve të tjera minerale jo metalike -0.2 për qind. E krahasuar me vitin 2009, ngritjet kanë qenë shumë më të larta.
Në industrinë e produkteve ushqimore dhe të pijeve kishte ngritje prej 10.2 për qind, prodhimi i metaleve 7.5 për qind, punimi me dru dhe fabrikimi i artikujve prej druri 5.9 për qind, industri të tjera nxjerrëse 4.5 për qind, prodhimi i produkteve prej gome dhe plastike 4.3 për qind dhe grumbullimi, pastrimi dhe shpërndarja e ujit 3 për qind.