E Shtunë, 31 Tetor 2026

BND konfirmon se të arrestuarit në Kosovë janë agjentë

Shërbimi sekret gjerman BND ka konfirmuar se të tre personat e arrestuar në Kosovë para pak ditësh janë agjentë të tij, ndërsa zyrtarë parlamentarë në Berlin kanë kërkuar lirimin e tyre. Siç raporton agjencia DPA, shefi i BND-së, Ernst Uhrlau, ka dëshmuar me dyer të mbyllura, në Komitetin mbikëqyrës parlamentar për shërbimet sekrete në Berlin. Thomas Opperman, kryesues i këtij Komiteti, është shprehur se nuk ka dëshmi se të tre gjermanët ishin të përfshirë në sulm. "Së pari pas një raportimi të plotë nga ana e qeverisë dhe e BND-së duhet thënë se nuk kemi gjetur të dhëna se të tre gjermanët janë të përfshirë në atentat. Së dyti, kemi arritur në konkluzionin se për tre gjermanët që janë prej nëntë ditësh në paraburgim, sipas informatave tona, nuk janë paraqitur prova përfshirjeje. Kjo është sipas opinionit tonë shkelje në trajtimin e ligjshëm sipas shtetit ligjor të të pandehurve", ka thënë Opperman. Më herët gjatë ditës, Gjykata e Qarkut në Prishtinë, njoftoi se ky rast do t'u kalojë gjyqtarëve ndërkombëtarë. Tre agjentët e BND-së akuzohen se janë përfshirë në sulmin që u ndërmorr në 14 nëntor ndaj zyrës së përfaqësuesit civil ndërkombëtar në Prishtinë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›