Rama: BE, shpëtimi nga rikthimi i së shkuarës në rrugën e të ardhmes sonë

TIRANË, 17 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se vetëm Bashkimi Europian është shpëtimi nga rikthimi i së shkuarës në rrugën e të ardhmes sonë.
Në komunikimin me qytetarët përmes rubrikës “Sy m’sy”, në rrjetet sociale, Rama theksoi se vetëm BE i jep fund kësaj historie rikthimesh tragjike.
“Pasaporta europiane nuk është kjo që kemi. Me këtë nuk ndalojmë dot sa të duam e ku të duam. Kur duam të rrimë e të punojmë kërkojmë azil, ose punojmë në të zezë. Pasaporta europiane i jep fund të gjitha këtyre”, deklaroi Rama.
Kryeministri vuri në dukje se vota më 11 maj për Partinë Socialiste siguron Shqipërinë në BE brenda 2030 dhe marrjen e pasaportës europiane të Shqipërisë për çdo qytetar të vendit.
“Pasaporta europiane merret kur ke bërë shtet dhe shteti nuk bëhet si komentet në “facebook”. Janë pa mend ukrainasit që vriten prej 3 vitesh, sepse duan të jenë me të dy këmbët në Europë? Po moldavët, estonezët, lituanezët, ku do ishin sot?”, u shpreh kryeministri. /j.p/