E Shtunë, 31 Tetor 2026

BOTA FLASH/ LAJMET ME TE FUNDIT NGA POLITIKA, AKTUALITETI, SHOW BIZI

WORLDNEWSBOTA FLASH/ LAJMET ME TE FUNDIT NGA POLITIKA, AKTUALITETI, SHOW BIZI…

SHBA, një grua në krye të Shërbimit Sekret
Për herë të parë në historinë e tij, Shërbimi Sekret do drejtohet nga një grua. 53-vjeçarja Julia Pierson do të marrë drejtimin e një shërbimi që është goditur së fundmi nga një skandal seksual. Mes të tjerash, Shërbimi Sekret kujdeset për sigurinë e presidentëve amerikanë, zëvendësve të tyre dhe familjeve përkatëse. Ajo ka një kualifikim të shkëlqyer për këtë detyrë. Pierson punonte së fundmi si shefe e shtabit për drejtorin e dalë në pension, Mark Sullivan. Imazhi i burrave me të zeza, syze dhe kufje në vesh, u godit së fundmi nga skandali i një udhëtimi në Kolumbi, ku u përfshinë në një aferë seksuale me prostituta. Trupa elitare ka 150 zyra dhe më shumë se 4 mijë nëpunës. Një e treta e tyre janë njësi me uniformë. Shërbimi Sekret ka qenë deri në vitin 2003 pjesë e Ministrisë së Financave për një arsye historike. Ai u themelua në vitin 1865 me qëllimin që të gjurmonte falsifikuesit e parave, çka është sërish detyrë e tyre. Pas atentatit ndaj presidentit William McKinley në vitin 1901, Shërbimi Sekret nisi të merrej me ruajtjen e krerëve të shtetit.

Ish drejtori i CIA-s kërkon falje publike
Ish-drejtori i Agjencisë Qendrore të Zbulimit, David Petreaeus, kërkoi falje publike për marrëdhënien jashtë-martesore që ai pati, e cila e detyroi atë të jepte dorëheqjen dhe që dëmtoi reputacionin e tij të lartë. Ai kërkoi falje në fjalimin që mbajti në Los Anxhelos, para një grupi ushtarakësh veteranë dhe studentësh në Qendrën e Stërvitjes së Oficerëve. Ai tha se ishte plotësisht i ndërgjegjshëm që arsyeja e largimit të tij nga posti ishte pasojë e marrëdhënies jashtë-martesore që ai pati me biografen e tij, Paula Broadwell. Fjalimi që mbajti zoti Petreas ishte paraqitja e tij e parë në publik, që kur ai u largua nga posti i drejtorit të CIA-s nëntorin e kaluar. Lidhja e tij u zbulua gjatë një hetimi të FBI-së, pas e-maileve kërcënuese që zonja Broadwell i kishte çuar një mikeshe të Petraeus dhe familjes së tij. Para marrjes së postit më të lartë të CIA-s, Petraeus, ishte gjeneral me 4 yje i ushtrisë amerikane, i nderuar për udhëheqjen me sukses të luftimeve të forcave amerikane në Irak.

Itali/Bersani: Pozicioni i
kryeministrit, për të çmendur
Presioni sa vjen e rritet ndaj shefit të së majtës italiane, Pier Luigi Bersani, i cili u përball me një refuzim tjetër të lëvizjes së Beppe Grillos, në përpjekje të formimit të një qeverie të aftë për të rimëkëmbur ekonominë e tretë të zonës euro. Vetëm një i sëmurë mund të ketë një dëshirë të pafrenueshme për të qeverisur në këtë moment, deklaroi Bersani gjatë bisedimeve me një delegacion të Lëvizjes Pesë Yjet (M5S) duke iu referuar krizës ekonomike dhe sociale që po kalon vendi. Jam i gatshëm të marrë përsipër një përgjegjësi të madhe, por u kërkoj edhe të tjerëve të marrin përsipër një pjesë të vogël të këtyre përgjegjësive, shtoi ai në këtë takim me lëvizjen e ish komikut. Ekonomia italiane është në recesion që prej gjashtë tremujorëve dhe zgjedhjet në fund të muajit shkurt, që përfunduan pa një maxhorancë politike të qartë në Parlament, kanë çuar një përkeqësim të krizës dhe ndryshim të normave të interesit paguar nga Italia dhe Gjermania.

Manjati i financave blen një
pikturë të Piccassos për 155 mln $
Piktura e titulluar Ëndrra (Dream) e piktorit Pablo Picasso u ble nga manjati amerikan i financave, Steven Cohen për 155 milionë dollarë, ndërkohë që bëhet fjalë për shifrën më të lartë të paguar deri tani nga një koleksionist amerikan. Pronari i kompanisë Sac Capital Advisors Lp, pasuria e të cilit i kalon nëntë miliardë dollarët, e mori nga një tjetër miliarder, nga manjati i kazinove, Steve Wynn. Kjo pikturë ishte realizuar nga piktori spanjoll në vitin 1932 dhe bën pjesë në një seri veprash ku paraqiten gra në gjumë e sipër dhe ku për model ai mori të dashurën e tij franceze, Marie Therese, të cilën e konsideronte simbol të sensualitetit dhe feminilitetit. Nuk është hera e parë që Cohen kërkon ta bëjë të tijën këtë pikturë. Iu afrua në vitin 2006 duke dhënë 139 milionë dollarë, por përpjekja rezultoi e kotë pasi Wynn, i cili ka probleme me shikimin, aksidentalisht e shpoi pikturën me bërryl. Wynn shpenzoi rreth 90 000 dollarë për riparimin e saj, ndërkohë që Cohen, për vite të tëra, ishte i interesuar për pikturën. Manjati konsiderohet si një nga koleksionistët më të mëdhenj në botë.

Analiza
Pajtimi Turqi-Izrael sjell përfitime dhe komplikime rajonale
Kur presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, përgatitej të përmbyllte vizitën në Izrael javën e kaluar, udhëtimi i tij në rajon kishte nisur të kritikohej për mungesë të përparimeve politike. Kjo deri në minutën e fundit, kur kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i ka telefonuar homologut turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe i ka kërkuar falje për vdekjen e nëntë aktivistëve turq në incidentin e vitit 2010. Aktivistët kanë pësuar kur ushtria izraelite ka bastisur një flotë ndërkombëtare, e cila transportonte ndihma për Rripin e Gazës. Është thënë se presidenti Obama ka ndihmuar në aranzhimin e telefonatës mes dy kryeministrave, pak orë para se të largohej nga vizita e parë zyrtare në  Izrael. Ka qenë çështje kohe kur amerikanët do të bënin këtë hap Kur merren parasysh çështjet e tjerta përreth, të cilat nuk përfshijnë vetëm Sirinë, por edhe të ardhmen e Irakut, Iranin, Egjiptin e të tjera, Shtetet e Bashkuara duhet të stabilizojnë njëherë partnerët direktë, thotë Avrum Burg, analist në institutin izraelit, Molad. Deri më 2010, Turqia, për vite të tëra, ka qenë partneri kryesor mysliman i Izraelit. Tani shtrohet pyetja se çfarë ndikimi do të ketë pajtimi i tyre në një rajon, i cili është ende në kërkim të rrugës së tij, pas Pranverës Arabe. Yossi Mekelberg, ekspert për Lindjen e Mesme në Institutin Chatam të Londrës, thotë se Izraeli dhe Turqia mund të korrin përfitime diplomatike, politike, ushtarake dhe ekonomike. Në krye të agjendës së tyre dypalëshe, Mekelberg thotë se do të jetë lufta e vazhdueshme në Siri. Shpërbërja e Sirisë, rreziku që armët kimike të bien në duar të gabuara, është shqetësim edhe për Izraelin, edhe për Turqinë. Dhe për këtë, ata duhet të bashkëpunojnë në nivel të inteligjencës dhe madje në nivel politik, nëse Siria copëtohet, thotë Mekelberg. Analisti turk, Mehmet Yegin, shfaq bindjen se dy vendet e sapopajtuara do të bashkëpunojnë në siguri, përfshirë përdorimin e hapësirës ajrore të njëri-tjetrit. Megjithatë, analisti Burg thotë se pajtimi turko-izraelit mund komplikojë marrëdhëniet e shtetit hebre me Egjiptin, presidenti islamik i të cilit, së fundmi, ka qenë ndërmjetësues midis Izraelit dhe Hamasit. Tani kur turqit janë kthyer në rol dhe kur kryeministri Erdogan ka paralajmëruar se do të vizitojë Gazën muajin e ardhshëm, përpjekjet e Egjiptit për të paraqitur veten si fuqi rajonale, mund të pësojnë, thotë Burg.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›