E Diel, 1 Nëntor 2026

BOTËRORI 2026 -Tuchel: Pushimet për hidratimin e lojtarëve po ndryshojnë identitetin e futbollit

BOSTON, 24 qershor /ATSH-DPA/ – Trajneri i Anglisë, gjermani Thomas Tuchel, ka kritikuar pushimet e detyrueshme për hidratim të lojëtarëve në Kupën e Botës, duke thënë se ato po ndryshojnë natyrën dhe ritmin tradicional të ndeshjeve.

FIFA i ka vendosur këto ndërprerje triminutëshe në mesin e secilës pjesë për të mbrojtur lojtarët nga temperaturat e larta, por masa është kritikuar nga tifozë dhe futbollistë gjatë ditëve të para të turneut.

Sipas Tuchel, ndërprerjet e shpeshta e ndajnë ndeshjen pothuajse në katër periudha dhe e bëjnë më të vështirë krijimin dhe ruajtjen e ritmit të lojës.

“Mendoj se e ndërpresin dhe e ndryshojnë identitetin e një ndeshjeje futbolli më shumë sesa e kisha menduar,” tha ai.

Tekniku gjerman pranoi se pushimet janë të dobishme kur moti është ekstremisht i nxehtë, por theksoi se futbolli fiton nga vazhdimësia e lojës.

“Më pëlqen futbolli kur luhet pa ndërprerje. Ritmi ndërtohet me kalimin e kohës dhe kjo është pjesë e bukurisë së lojës. Këto pushime i heqin diçka nga karakteri i saj.”

Megjithatë, Tuchel pranoi se, për hir të barazisë mes skuadrave, masa ka logjikën e saj.

Pavarësisht rezervave të tij, Tuchel tha se do t’i shfrytëzojë këto ndërprerje për të komunikuar me lojtarët dhe për të bërë rregullime taktike sipas zhvillimit të ndeshjes. /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›