E Shtunë, 31 Tetor 2026

BP: Do ta kthejmë Gjirin e Meksikës në gjendjen e mëparshme

Premtimi

Përpjekja e fundit në Gjirin e Meksikës për të ndaluar rrjedhjen duket se po funksionin dhe duke arritur të mbledhë rreth 10 mijë fuçi në ditë, nga 12 deri në 19 që mendohet se derdhen në det çdo ditë që nga çarja e pusit në muajin prill. Në një intervistë dhënë për BBC-në, shefi ekzekutiv i kompanisë së naftës “British Petroleum”, Tony Hayward, ka thënë se operacionet nënujore që po zhvillohen për të ndalur rrjedhjen e naftës në Gjirin e Meksikës, po shkojnë mirë. Hayward tha se shpresonte që pjesa më e madhe e naftës së derdhur do të mbahej nën kontroll, në atë që është cilësuar si katastrofa më e madhe ekologjike në historinë e SHBA-së. Për më tepër, ai shtoi se kompania gjigande e naftës “British Petroleum” ishte e angazhuar maksimalisht për të ndaluar rrjedhjen dhe për të pastruar detin nga ndotja dhe se shumë shpejt, Gjiri i Meksikës do të kthehej në gjendjen që ishte para shpërthimit gjashtë javë më parë. “Ne do ta ndalim derdhjen, do të pastrojmë detin nga nafta, do të ndreqim çdo dëm të shkaktuar mjedisit dhe do ta kthejmë bregdetin e Gjirit në gjendjen që ishte përpara këtij incidenti. Ne do të mbajmë një për një të gjitha premtimet e bëra”, deklaroi Hayward.

“Ky është një angazhim absolut dhe ne do të vazhdojmë të jemi të pranishëm atje, edhe pasi të ketë ikur media, duke sjellë të mira përmes premtimeve tona”. Por, sipas specialistëve, do të jetë shumë e vështirë dhe do të duhet kohë që gjithçka të kthehet në gjendjen e mëparshme. Kështu pelikanët, që konsiderohen edhe si simbol i shtetit të Luizianës, po shndërrohen në viktimat më të pafajshme të kësaj katastrofe ekologjike. Numri i atyre që rrezikojnë ngordhjen është rritur ndjeshëm, pasi nafta ka arritur të prekë edhe rajonin e “Queen Bess”, të quajtur ndryshe dhe parajsa e pelikanëve. Ndonëse ekipe të specializuara angazhohen ditë pas dite me pastrimin e shpendëve, specialistët thonë se mundësia e tyre për mbijetesë varion nga 50 në 70%. “Gjatë kësaj jave, ne do të zbatojmë një tjetër sistem, në mënyrë që të arrijmë të ndalim sa më shumë sasinë e naftës që derdhet. Kjo gjë pritet të bëhet javën e ardhshme dhe me dy sisteme në funksionim gjendja sigurisht që do jetë më e mirë se sa ajo e aktualja”. Katër janë shtetet e prekura nga rrjedhja e naftës: Luiziana, Misisipi, Alabama dhe Florida. Ajo ka prekur disa nga plazhet më të famshëm të Floridës, ekonomia e të cilëve varet shumë nga turizmi. Ndërkaq kompania “British Petroleum” duhet t’i paguajë një faturë prej 69 milionë dollarësh shtetit amerikan për dëme të shkaktuara. Sipas Hayward, edhe pse kërkesat financiare që rezultonin prej derdhjes do të ishin shumë të larta, kompania do të mbijetonte. “Ne kemi humbur një të tretën e vlerës në tregun kapital. Kjo është shumë ndryshe nga vlera e financave tona.

Kompania është financiarisht shumë e fortë. Ajo e ka mundësinë për ta kaluar këtë vështirësi dhe për të dalë e fortë prej saj. Ne do të bëjmë ç’është e mundur për të pastruar imazhin tonë dhe e dimë që mund t’ia dalim mbanë”, u shpreh shefi ekzekutiv i BP-së. Por edhe pse premtohet një zgjedhje e qëndrueshme, kjo situatë nuk pritet të përfundojë para muajit gusht.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›