Serbia nuk mund të hyjë në BE pa njohur Kosovën
Deklarata e fundit e ambasadorit të Britanisë në Beograd, Stiven Uordsuorth, se zgjidhja e statusit final të Kosovës do të jetë kusht për vazhdimin e integrimeve europiane të Serbisë, se Kosova dhe BE-ja nuk janë në rrugë të ndara për Serbinë dhe se politika e kësaj të fundit do të ndodhet përballë sfidave të mëdha në periudhën e ardhshme, ka ngjallur mjaft reagime si brenda Serbisë, ashtu edhe jashtë saj, ndërkohë që bie në sy se shumica e politologëve, analistëve dhe ekspertëve, është dakord me konstatimin e ambasadorit britanik. Me këtë rast, gjithashtu duhet të theksohet se deklarata e ambasadorit britanik vjen si një dush i ftohtë e i fortë mbi kokat e zyrtarëve të lartë serbë që presin, nuk dihet se përse, me shpresa të mëdha se mendimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë lidhur me vlefshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës do të jetë i favorshëm për Serbinë. “Presupozimi serb se ky vend (Serbia) mund ta ndajë rrugën e tij europiane nga çështja e Kosovës, nuk është real. Brukseli nuk mund dhe nuk do ta pranojë Serbinë si një anëtare me të drejta të plota, derisa nuk do të gjendet një zgjidhje për sa u përket marrëdhënieve të saj me Prishtinën. Që në momentin që Serbia do të bëhej anëtare me të drejta të plota e BE-së, kjo e fundit do të humbiste një ndër adutet (kartat) më kryesore të saj – kushtëzimin”, vë në dukje Franc Lotar Altman, politolog dhe ballkanolog i njohur gjerman, në një prononcim të tij në gazetën e përditshme serbe “Blic”, duke theksuar se “më e keqja do të jetë se Serbia, si anëtare me të drejta të plota e BE-së, do të mund të vendoste veto për vendimet mbi të ardhmen e Kosovës, gjë që BE-ja në asnjë mënyrë nuk do të mund ta pranojë. Kosova nuk mund të qëndrojë gjithnjë jashtë BE-së, nëse të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor do të bëhen anëtare të saj. Njëzetedy vendet-anëtare të BE-së që e kanë njohur Kosovën si shtet, nuk do t’i tërheqin në asnjë rast vendimet e tyre vetëm që Serbia të bëhet anëtare e BE-së”, theksoi ai. Sipas ballkanologut gjerman, Europa është e revoltuar për shkak të mungesës së fleksibilitetit nga ana e vendeve të Ballkanit Perëndimor lidhur me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe të ndërsjella, që është e domosdoshme për vazhdimin e integrimeve të tyre europiane dhe që, në një masë të madhe, janë edhe arsyeja për shkak të së cilës zgjerimi i mëtejshëm i BE-së po vihet në pikëpyetje. “Kjo ka të bëjë sidomos me Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën, dhe për shkak të një situate të tillë, mund të ndodhë që Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së para Serbisë”, konkludon Altmani. Analisti politik nga Uashingtoni, Obrad Kesiç, nga ana e tij, lidhur me shpresat e mëdha të Serbisë se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e Hagës do të shprehet në favor të qëndrimit të saj, konsideron se mendimi i saj nuk do ta ndryshojë situatën aktuale dhe se bisedimet eventuale që do të mund ta pasonin atë (mendimin), nuk duket se do të kishin sukses. “Vetë mendimi nuk do të ketë ndonjë efekt të madh dhe serioz, sepse pritjet e Brukselit, Beogradit dhe të Uashingtonit, janë shumë të ndryshme. SHBA presin që Serbia, pas shpalljes së mendimit të gjykatës, të orientohet drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën dhe pranimit të faktit se Kosova është shtet i pavarur. SHBA, natyrisht, nuk presin ndonjë njohje zyrtare të pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, por që Beogradi t’i ndërpresë aktivitetet që vënë në dyshim pavarësinë e saj”, thekson Kesiç, duke vënë në dukje se edhe ato vende-anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, do ta pranojnë, më në fund, se pavarësia e saj është një lloj zgjidhjeje, së cilës nuk mund t’i shmangesh. Analisti i njohur politik serb dhe ish-ambasador i Serbisë në Francë, Predrag Simiç, nga ana e tij, i deklaroi dje agjencisë serbe të lajmeve, “Beta”, se deklarata e ambasadorit britanik, Uordsuorth, nuk përmban asgjë të re, sepse edhe më parë çështja e Kosovës dhe integrimet europiane të Serbisë nuk kanë qenë rrugë të ndara dhe se, herët ose vonë, ato do të kryqëzoheshin. “Kjo parashikohet të ndodhë mbas Konferencës së Sarajevës, në pritje të ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit të Serbisë me BE-në”, theksoi Simiç, duke nënvizuar se ambasadori Uordsuorth përsëriti edhe një herë tjetër se 80 për qind e vendeve-anëtare të BE-së e kanë njohur tanimë Kosovën dhe se këto vende nuk do ta vënë në dyshim pozitën e tyre të deritanishme lidhur me kandidaturën e Serbisë për anëtarësim në BE. Simiç vlerësoi se pret që të ketë kompromise të tjera pas “kompromisit të madh”, të arritur më 2 qershor në Konferencën e Sarajevës, ku ministrat e Jashtëm të Serbisë dhe të Kosovës u ulën në të njëjtën tryezë, megjithëse pa tabela me emërtimit e shteteve përkatëse para tyre. “Nuk besoj se mendoni që në fazën tjetër do të kemi përsëri beteja për tabela”, vuri në dukje analisti i njohur serb.
#