E Diel, 1 Nëntor 2026

Afro 70% e femrave vuajnë nga sëmundjet kancerogjene

Fier Kanceri i gjirit është sëmundja që ka numrin më të lartë të personave të prekur

Rritet ndjeshëm numri i të prekurve nga sëmundjet kancerogjene në qytetin e Fierit. Ndryshe nga vitet e kaluara, kësaj here janë femrat ato që shënojnë numrin më të lartë të personave të prekur nga tumoret e rënda. Sipas statistikave të drejtorisë së grupit spitalor Fier, mësohet se numri i të prekurve nga sëmundjet kancerogjene për çdo vit arrin nga 470 deri në 500 persona. Një vit më parë ky numër ka qenë 527, ndërkohë që për gjashtë muajt e parë të këtij viti regjistrohen plot 400 raste më shumë. Sipas burimeve zyrtare nga autoriteti i statistikave, theksohet se afro 70 për qind e të prekurve i përkasin gjinisë femërore. Llojet më të përhapura të kancerit te femrat janë kryesisht ai i gjirit dhe i qafës së mitrës. “Kanceri i gjirit është sëmundja që ka numrin më të lartë të personave të prekur nga sëmundjet kancerogjene në Fier. Moshat e personave që vuajnë pasojat e kësaj sëmundjeje janë të ndryshme, duke filluar që nga të rinjtë e deri te të moshuarit”, bëjnë të ditur burime nga zyra e statistikave të Fierit.

Në kuadër të përhapjes së kancerit të gjirit, institucionet përkatëse kanë nisur një fushatë sensibilizuese, me qëllim këshillimin e femrave. Drejtoria e Shëndetit Publik u bën thirrje të gjitha grave që t’i nënshtrohen kryerjes së mamografisë dhe pap-testeve. Specialistët thonë se nëse kjo sëmundje evidentohet që në fillimet e përhapjes së saj, shanset për t’u kuruar përfundimisht prej saj janë të larta. Nga ana tjetër, në qytetin e Fierit paraqitet edhe një numër i konsiderueshëm personash që vuajnë nga kanceri i lëkurës, apo i rrugëve të frymëmarrjes.

Shkaqet kryesore të të prekurve nga sëmundjet kancerogjene, sipas mjekut Kristaq Qirushi, janë kequshqyerja, mjedisi i ndotur, ulja e numrit të lindjeve dhe përdorimi i kontraceptivëve.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›