E Shtunë, 31 Tetor 2026

BQE ul normën bazë të interesit të euros

Banka Qendrore Evropiane (BQE) për të ruajtur ekonominë evropiane nga ndikimet e krizës globale ka ndërmarrë një vendim tjetër, për herë të dytë, pas një kohe shumë të shkurtër, për të ulur normën bazë të interesit të euros. BQE vendosi që dje të ulë normën e interesit deri në 2.50 për qind. Kjo është norma më e ulët e interesit të euros. Madje, BQE ka bërë këtë ulje drastike për herë të parë që prej 50 vitesh. Banka Qendrore Evropiane e ka ulur dy herë normën bazë të interesit të monedhës evropiane. Madje, dje, duke habitur të gjithë specialistët bankarë, me 0,75% menjëherë, ndonëse pritej ulje në masën 0,50%. Pavarësisht se është treguar më konservatore se “Federal”, rezerva amerikane, BQE, ka reaguar kësisoj ndaj rreziqeve në rritje të ekonomisë së eurozonës, përballë situatës së mjegulluar të perspektivës së ekonomisë botërore. Kjo masë lehtëson si bankat, në shkëmbimet me njëra-tjetrën, ashtu edhe subjektet, qofshin biznese apo individë. Gjatë ditës së djeshme, eurobori, norma ndërbankare e përqindjes së interesit për euron, ka shënuar një rënie të mëtejshme. Kështu, eurobori tremujor, mbi bazën e të cilit llogariten këstet e kredive për shtëpitë, ka arritur minimumin e dy vjetëve të fundit, në nivelin 3.669%; eurobori njëjavor është ulur në 2.868% dhe ai gjashtëmujor në 3.710%, duke shënuar shifrën më të ulët që nga nëntori i vitit 2006. Kohët e fundit, në vendin tonë, gjithnjë e më shumë veprime kreditore janë kryer me euro. Dhe në këtë monedhë kryesisht janë dhënë edhe kreditë bankare. Normalisht, kredia llogaritet mbi bazën e euroborit, duke i shtuar përqindjen e fitimit të bankës, që jep kredinë. Në të gjitha kontratat kreditore shënohet se sa herë që ulet ose ngrihet eurobori, ndryshon edhe kësti. Madje, një gjë e tillë, nga banka duhet t’i njoftohet klientit me korrespondencë zyrtare. Kohët e fundit bankat janë kujtuar shpesh për klientët.

Bankat shqiptare nuk reflektojnë ndryshimin në uljen e interesit të kredive

Sapo BQE merr vendimin për rritjen e normës bazë të interesit të euros, bankat e nivelit të dytë në Shqipëri nxitojnë të bëjnë ndryshime të menjëhershme në normën e interesit, duke rritur barrën e kredimarrësve. Pak kohë më parë, BQE e uli normën e interesit të euros në 3.25 për qind, por kjo ulje nuk e ndje në tregun bankar shqiptar. Asnjëra prej bankave që ka dhënë kredi në euro nuk e reflektoi ndryshimin në uljen e interesit për kreditë e dhëna. Bankat e nivelit të dytë në tregun financiar shqiptar nuk lehtësojnë kredimarrësit e shumtë shqiptarë nga barra e pagesave për kreditë e marra. Ndonëse shqiptarët që kanë marrë kredi në euro, sidomos për shtëpi banimi, janë të shumtë, vështirë se gjen dikë prej tyre, që të jetë ndodhur para një surprizë të këndshme, kur shkon të paguajë këstin mujor në sportelin e bankës, ku ka marrë kredinë. Kjo, normalisht, duhej të kishte ndodhur me zvogëlimin e këstit që duhet paguar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›