E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Shqipëria, shembull për taksat e ulëta dhe klimën e biznesit

Kryeministri Berisha mori pjesë dje në Konferencën për Prosperitet Ekonomik, organizuar nga Qendra “Linkoln” dhe “Marketplace One”. Në konferencë referuan dy profesorë të njohur, z. Barry Asmus, një nga pesë folësit më të kërkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ekonomist i lartë për Qendrën Kombëtare për Analizën e Politikave, si dhe zoti Wayne Grudem, Profesor Kërkimor i Biblës dhe Teologjisë në seminarit Feniks, në Arizonë. Në konferencë ishin të pranishëm ministra të kabinetit qeveritar, përfaqësues nga Parlamenti, përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë etj. Kjo konferencë u vlerësua si një mundësi e madhe për Shqipërinë për të thithur mendimet dhe ekspertizën e këtyre dy studiuesve të shquar në lidhje me çështje kryesore të lirive të tregut dhe zhvillimit ekonomik të vendeve. Dr. Barry Asmus u shpreh në analizën e tij se politika e taksave është gjeneratori i zhvillimit ekonomik të çdo vendi. Z. Asmus vlerësoi vendimin e qeverisë shqiptare për vendosjen e taksës së sheshtë dhe politikën qeveritare në tërësi për sistemin e taksave. “Ky është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të lirisë së tregut dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit. Për sa u përket taksave, Shqipëria është në rrugën e duhur”, - u shpreh z. Asmus, duke nënvizuar se vendi ynë e ka kapur tashmë këtë standard. “Nëse 15 vjet më parë do të më kishin thënë se Shqipëria do të renditej e 56-a nga 165 vende, unë do të kisha thënë jo, në asnjë mënyrë kjo nuk mund të ndodhë. Por Shqipëria tashmë është vendi i 56-të në renditjen e 165 vendeve në Indeksin Botëror për Lirinë Ekonomike. Pra, të shohësh zhvillimin e Shqipërisë gjatë 15 viteve të fundit është gjë e pabesueshme, veçanërisht zhvillimin gjatë 2 viteve të fundit. Liria është burimi kryesor për prosperitet ekonomik dhe është investimi më i mirë i një vendi”, - theksoi ai. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha siguroi se qeveria shqiptare po bën më të mirën e mundshme për ta vendosur vendin në orbitën e vendeve me zhvillim të shpejtë dhe për të ecur drejt prosperitetit. “Si Kryeministër i këtij vendi, çdo ditë, unë nuk mendoj për asgjë tjetër, veçse si të përgatis në mënyrën më të mirë këtë vend, që të përballojë të ardhmen, pasojat e rritjes së ngadalshme të ekonomisë në të gjithë botën”, - u shpreh Kryeministri. Duke u ndalur në përpjekjet e qeverisë në mbështetje të investimeve, Kryeministri siguroi se kabineti qeveritar është duke punuar dhe duke luftuar çfarëdo lloj pengese për investitorët dhe investimet në vend. “Po bëjmë më të mirën për të inkurajuar investimet në vend dhe besoj se vetë fakti që askush nuk parashikon një rritje ekonomike më të ulët se 6 për qind për këtë vend, është një stimul, është nxitje për çdo investitor, që të vijë dhe të investojë në këtë vend”, - vijoi Kryeministri. Kryeministri solli në vëmendje situatën e mëparshme për sa u përket investimeve në fushën energjetike në vend, duke theksuar se në 18 muaj, si asnjë vend tjetër, qeveria ka pasur sukses për të firmosur kontrata dhe për të shpallur kompani fituese për ndërtimin e 134 hidrocentraleve në vend, të gjitha këto me menaxhim të sektorit privat. Sektori privat, - theksoi Kryeministri, - është shembulli dhe mënyra më e mirë për forcimin e lirive të tregut dhe kapërcimit të krizës ekonomike. “Ky është një shembull se si funksionon liria e tregut dhe është mënyra që unë mendoj se duhet të trajtojmë krizën ekonomike botërore”, - tha Kryeministri.

Ai vlerësoi zhvillimet ekonomike në vend “Për gjashtë muajt e parë të vitit ne jemi vendi me rritje ekonomike dyshifrore. Kjo është e vërtetë. “Po të vëreni eksportet tona, vihet re se ajo çfarë prodhohet në Shqipëri është rritur me 42 për qind, shkalla e inflacionit është 2.6 për qind. Megjithatë, nuk është realiste të mendojmë se ekonomia jonë nuk do të ndikohet nga kjo krizë mbarëbotërore, sepse Shqipëria është pjesë e globit. Por, sistemi ynë bankar është në rregull, fatmirësisht nuk ka shkuar larg dhe u është përmbajt kryesisht skemave klasike. Kredia për ekonominë është 30-35 për qind. Pra, kjo është situata”, - ka deklaruar Kryeministri i vendit.

Kostoja e koleksioneve të modës, GTZ trajnon kompanitë shqiptare

Kompanitë shqiptare në industrinë e veshjeve do të asistohen nga Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Teknik (GTZ), me qëllim rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe krijimin e koleksioneve për të dalë në tregjet evropiane me markën "Made in Albania". GTZ organizoi dje workshop-in me temë "Llogaritja e kostove dhe planifikimi i prodhimit" për krijimin e një koleksioni të vogël vetjak", ku ishin të pranishëm menaxherë dhe drejtues të prodhimit nga industria e veshjeve, stilistë, përfaqësues të shoqatave dhe dhomave të sektorit të veshjeve, si dhe pedagogë të Inxhinierisë së Tekstileve në Tiranë. Enkeleida Goxhaj, përfaqësuese e GTZ-së, tha dje se workshop-i synon asistencë mbi hartimin e buxhetit të një ndërmarrjeje, kontrollin e kostove duke u bazuar në buxhet, mënyrën se si mund të bëhet përcaktimi i kostove për minutë, pse është i nevojshëm planifikimi i prodhimit dhe si bëhet ai, si dhe përllogaritja e kohës vjetore të punës. Në kuadrin e "Programit ekonomik dhe të nxitjes së punësimit", GTZ po mbështet industrinë e veshjeve ose të njohur ndryshe sektorin e prodhimit me fason në Shqipëri, me qëllim krijimin e koleksioneve brenda kompanive, si dhe eksportin në tregjet evropiane.

GTZ po punon ngushtë me të gjitha hallkat e këtij sektori në Shqipëri, duke filluar nga krijimi i koleksioneve tek institucionet akademike, universitetet dhe akademitë përkatëse dhe kompanitë e fasonit, por dhe me shoqatat që janë përfaqësuese të këtij sektori, si ajo e stilistëve dhe fasonistëve, me qëllim dhënien e asistencës direkte për rritjen e kapaciteteve të kompanive.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›