Loja "partizanë me gjermanë"
Dekonspirimi i agjentëve të shërbimit sekret gjerman në Kosovë rikthen në skenë mesazhin e "lirisë nga frika", se pa pandehur, ndonjë segment i shërbimeve sekrete të fuqishme, përmes operacioneve të fshehta mund të frikësojë një shoqëri të tërë dhe madje të minojë shtetin e tyre, si në rastin e Kosovës. Mund të jetë se ndonjë nga shërbimet konkurrente të BND-së (natyrisht, të aleatëve të Kosovës) e ka plasuar për publikun kosovar dhe ndërkombëtar lajmin për këtë aferë spiunazhi, më qëllim që të sfidohet koncepti i vjetër (armiqësor) i operacioneve sekrete dhe kjo, sigurisht se do ta ndihmojë Bundestagun për ta vënë BND-në nën kontroll civil demokratik. Por, mua më pengon një dozë e vetëlavdërimit, imazhi qe po krijohet në publik, se kinse SHPK-ja e ka zbuluar këtë aferë të përmasave ndërkombëtare. Kush u kujdes kësaj here që të imagjinojë tregime kaq të pabesueshme, se si ne paskemi njësit policor antiterrorist aq profesional, sa që BND-në e paskemi zënë në kurth, kur dihet se SHPK-ja është ende polici në trajnim!? Shoqëria kosovare duhet të mbrohet nga lehtësia e padurueshme e konsumimit të informatave "bomba" dhe abuzimi me informacionin e tillë. Kjo dëshmon për mungesën e seriozitetit të lidershipit kosovar për krijimin e mekanizmave ligjor-kushtetues të shtetit, për mbrojtjen e interesave strategjike kombëtare, pa i cenuar interesat shtetërore të aleatëve. Implikimi i një shërbim të fshehtë, të një vendi mik si Gjermania, një ndër sponsorët e pavarësisë dhe lirisë së Kosovës, në akte terroriste, është thikë pas shpine për Kosovën. Për mediat, publikimi i aferave të spiunazhit është mall i shtrenjtë, që rrit tirazhet ose shikueshmërinë e dëgjueshmërinë, por jo vetëm kaq. Plasimi i një informate të tillë shtron nevojën për një vizion të ri të përdorimit të inteligjencës (në nivele globale), me një bazë shumë më demokratike e ligjore, sepse nuk është e drejtë që popuj e shoqëri të tëra të jetojnë nën frikën se dikush që i sheh, mund t`ua punojë prapa shpine, se dikush ua kërcënon lirinë dhe pavarësinë, duke përdorur potencialet e fuqishme, të cilat shoqëria kosovare nuk i ka. Ka ndodhur që vetë gazetarët kanë organizuar "akte terroriste" (kërcënim të sigurisë së përgjithshme) për t`i sprovuar mekanizmat e sigurisë së shtetit respektiv dhe qëndrueshmërinë e demokracisë apo duke i sfiduar politikat e sigurisë nacionale. Por konteksti kosovar nuk e lejon një luks të tillë, sepse është një vend i posadalë nga lufta dhe një shtet i kërcënuar nga një shtet fqinj, Serbia. Dhe në këtë aspekt gazeta “Express” e ka kryer pjesën e vet të punës, ka publikuar informatën që e inkriminon një shërbim sekret në rrënimin e Kosovës. Fundja, gazetat nuk vuajnë nëse bie nga posti një drejtor i një shërbimi sekret, qoftë ai edhe i BND-së. Në këtë spy-tregim “Made in Kosova” pati madje edhe konstruksione që e shihnin UDB-në të fshehur pas "tre gjermanëve", mirëpo, mendoj se shteti i prekur nga operacionet e fshehta, të dhënat për një shërbim të veçantë, që është implikuar në veprime terroriste, për qëllime politike ose të sfidimit të sigurisë kombëtare, do të duhej t`i trajtonte me qeverinë e vendit nga vijnë kërcënime të tilla dhe t`i mbante ato në konfidencë. Ndoshta në distribuimin për publikun të kësaj informate pati nguti dhe prejudikim fajësie për "tre gjermanët", ende pa përfunduar hetimet nga shërbime sekrete konkurrente, kur së paku lidershipi kosovar dhe publiku që e konsumon lajmin hala nuk i di motivet as pasojat e mundshme të një akti të tillë.
Dihet se pjesëtarët e shërbimeve sekrete kanë identitete të koduara dhe kurrë askush, pos supozimeve, nuk do ta dijë se vërtet ata janë zyrtarë të BND-së, kjo mund të dihet vetëm nëse Parlamenti gjerman nis një hetim dhe nëse kjo i shkon përshtat qeverisë gjermane. Kjo mund t`i vlejë vetë shoqërisë gjermane për t`u liruar nga frika se agjentë të një shërbimi kredibël kapen tek cenojnë lirinë dhe demokracinë, sot të Kosovës e nesër ndoshta edhe të vet Gjermanisë. Lajmi është dhënë tashmë, e njerëzit do ta marrin si punë të kryer, se gjermanët po punuakan për interesa të serbëve, ndonëse kurrë nuk do të dihet (së paku jo për disa vjet) saktësisht se cilat kanë qenë motivet e atij operacioni të fshehtë të BND-së!?
Nëse krejt skorien e zhvendosim nga realitetet politike në fantastiko-shkencore, atëherë del se në BND-në gjermane (një ndër shërbimet më të besueshme europerëndimore) paska "asete" dhe interesa "Gazpromi", si metaforë?! Dhe çfarë fati i mirë kur qëllon nga një aleat besnik si Kosova dhe ia "zbulon kancerin” shtetit gjerman në palcën e tij kurrizore?!
BND-ja si institucion shtetëror federal, në këtë rast ka rënë ndesh me politikat e shtetit gjerman ndaj rajonit dhe në veçanti ndaj Kosovës, sepse ky shërbim nuk mund të ketë një qëndrim armiqësor ndaj Kosovës dhe interesave të saj, kur shteti gjerman e ka mbështetur luftën e Kosovës për liri e pavarësi, pra edhe e ka njohur shtetin e ri. Cilat mund të jenë interesat gjermane në këtë rast, që të kryejë operacione të fshehta kundër këtij shteti të brishtë? Sipas logjikës së gjërave, ky operacion ka pasur për qëllim nxitjen e trazirave në Kosovë dhe krijimin e masës kritike brenda BE-së për ndarjen e saj, si të vetmen zgjidhje. Operacioni në fakt ishte i adresuar ndaj Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë (ICO), por më këtë akt po cenoheshin interesat e Kosovës, siguria e saj kombëtare dhe rendi i saj i brendshëm. Por, nëse nuk i nënshtrohemi të gjithë kësaj neuroze kolektive, atëherë ky akt mund të trajtohet edhe ndryshe. Presion politik ndaj asaj "Evropës së dytë" - Evropës spanjolle, që me urgjencë t’i bashkohet bllokut të shteteve që ka njohur pavarësinë e Kosovës, për hir të stabilitetit në rajon!? Cilit version t’i besohet?
Shtetet moderne kapin informata nga kundërzbulimet e tyre, madje edhe shkëmbejnë informacione të tilla, shumë të çmueshme, por i ruajnë ato si atu shtetërore që i ndihmojnë sigurisë nacionale dhe ndërkombëtare dhe nuk i qesin për t`i shitur në publik, por kësaj here u thye ky parim.
Shtetet moderne kapin dhe kthejnë mbrapsht agjentë të fshehtë të shërbimeve të shteteve "armiqësore", kur kjo e rrezikon sigurinë e shtetit përkatës ose sigurinë kolektive, por çdo gjë mbetet sekret shtetëror. Kosova u bë edhe në këtë aspekt sui generis. Skandalin ndërkombëtar sipas këtij super-tregimi nuk e kanë prodhuar kosovarët. Ata madje pak mund të dinë se kundër kujt dhe kundër çkahit ishte orientuar ky operacion i fshehtë. Po të kishte Kosova një shërbim profesional dhe kredibël inteligjent, këso informatash do të shërbenin për forcimin e pozicionit diplomatik në arenën ndërkombëtare. E nëse dikush ka publikuar këtë lloj informacioni konform me nevojat e brendshme partikulare, për t`u dëshmuar si faktor i domosdoshëm për sigurinë e Kosovës, në të cilin duhet llogaritur, krejt llogaritë dalin gabim. Të gjitha shtetet normale i kanë agjentët e mbuluar që mbledhin legalisht informata në shtetet që konsiderohen aleate, por ato i përdorin vetëm kur duhet mbrojtur interesat kombëtare ose të aleatëve, e jo të distribuohen kot ose duke i abuzuar ato, madje edhe duke i bërë shërbime djallit. Kjo e shtron nevojën që qeveria e Kosovës të krijojë me urgjencë shërbimin e vet profesional të inteligjencës dhe që të kërkojë nga të gjitha qeveritë e vendeve që e kanë njohur pavarësinë, që t`i akreditojnë spiunët e tyre tek institucionet e Kosovës, kurse për ato vende që nuk e kanë njohur Kosovën, vlen parimi tjetër, zbulimi dhe kthimi mbrapsht i agjentëve të tyre, para se të cenojnë sigurinë edhe ashtu të brishtë të vendit.