E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli: Shqipëria, pjesë e rrjetit të gazit në Mesdhe

Projekti i gazit me Italinë do të ketë rëndësi edhe për vendin tonë. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka shpjeguar dje për median efektet pozitive të këtij projekti të gazit dhe përfitimit që do të ketë vendi ynë prej tij. Rreth 1 miliard euro do të investohen për ndërtimin e rrjetit të gazit të lëngët me Italinë. Nëpërmjet këtij projekti, Shqipëria do të behët pjesë e rrjetit të gazit në Mesdhe. “Ky është një investim me një teknologji nga më modernet prej rreth 1 miliard euro në bregdetin shqiptar, që për herë të parë i mundëson Shqipërisë aksesin në rrjetet e gazit të zonës së Mesdheut dhe rrit pavarësinë në prodhimin e energjisë, garancinë në furnizimin e popullatës dhe të ekonomisë me energji elektrike”, - ka theksuar dje ministri Ruli. Më pas ai ka detajuar se çfarë parashikon ky projekt dhe fazat në të cilat do të kalojë ai. “Projekti parashikon dy nënprojekte kryesore, e para është ndërtimi i impiantit të deklasifikimit të gazit të lëngshëm dhe i dyti është terminali në të cilin ankorohen anijet që sjellin gazin e lëngshëm”, - tha Ruli. Sipas tij, gazi i lëngshëm i transportuar nga anijet kalon në impiantin e deklasifikimit dhe kalon në formën natyrore të gazit. Më tej, faza e tretë e projektit është ndërtimi i gazsjellësit që lidh Shqipërinë me Italinë. Ministri ka zbardhur më tej përfitimet e palës shqiptare nga zbatimi i kontratës me firmën Italiane “Falcione”, për zhvillimin e projektit të gazit të lëngët natyror në Shqipëri. Ministri Ruli tha se kapaciteti përpunues është menduar të jetë rreth 8 miliardë metër kub, një projekt me një rëndësi strategjike jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për tregun italian. “Kompania që ka marrë përsipër këtë projekt, kompania “Falcione”, është një kompani që ka një eksperiencë të gjatë në sektorin energjetik dhe të gazit në Itali dhe negocimi i këtij projekti ka filluar që në shkurt të këtij viti”, - tha ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. “Projekti, na jep mundësinë të alternojmë burimet e prodhimit të energjisë elektrike në Shqipëri, duke na dhënë mundësinë që të zhvillojmë dhe teknologjinë termo të prodhimit të energjisë elektrike, duke përdorur si karburant gazin natyror”, - tha ministri Ruli. Ai e lidhi këtë projekt edhe me Termocentralin e Vlorës, i cili është projektuar që të jetë me dy lloje të mundshme karburantesh, me diezelin e distiluar dhe në momentin që do të gjendet burimi i gazit, mund të kalojë menjëherë në përdorimin e gazit si lëndë djegëse, ku edhe kostoja dhe ndotja e ambientit do të jenë më të ulëta. Në kontratë janë parashikuar edhe përfitimet e shtetit shqiptar, i cili ruan të drejtën që nga kjo sasi gazi që do të kalojë nëpërmjet këtij impianti, deri në 500 milionë metra kub të përdoren për nevojat e tregut vendas. Sipas ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, gjithashtu shteti shqiptar ka të drejtë t’i kërkojë koncesionarit të zgjerojë kapacitetin në momentet kur nevojat e tregut shqiptar për gaz do të rriten.

Nënshkruhet marrëveshja e hidrokarbureve për vendburimin e Visokës

Në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës u nënshkrua dje marrëveshja “Hidrokarbure për Zhvillimin dhe Prodhimin e Hidrokarbureve në vendburimin e Visokës” ndërmjet shoqërisë “Albpetrol” sh.a. dhe kompanisë IEC VISOKA INC. Marrëveshja është nënshkruar nga drejtori i “Albpetrol” sh.a., Ylli Gjoni, Presidenti i ËC Group Dr. W. Hertel dhe drejtori i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, Milo Kuneshka. Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është në vijim të strategjisë për zhvillimin e industrisë së naftës dhe të gazit në Shqipëri, sidomos në drejtimin të shfrytëzimit sa më racional dhe efektiv të rezervave të provuara të naftës në vendburimet e njohura. Është bërë një aktivitet i dendur promovues për të thithur investitorë më potencialë financiarë dhe me aftësi teknike të lartë si nga strukturat e METE-s, ashtu edhe nga shoqëria publike e kërkimit dhe prodhimit të naftës “Albpetrol” sh.a. Vendburimi i Visokës është në administrim nga shoqëria “Albpetrol” sh.a. Ky vendburim është zbuluar në vitin 1963 dhe ndodhet 13 km në juglindje të qytetit të Fierit. Ai është në fazën e fundit të shfrytëzimit të tij. Aktualisht prodhimi mesatar ditor në këtë vendburim arrin në rreth 40 ton, duke u konsideruar kështu një vendburim modest në territorin e Republikës së Shqipërisë. Lidhur me këtë vendburim, shoqërisë “Albpetrol” sh.a. i është dhënë e drejta për të hyrë në Marrëveshje Hidrokarbure me shoqërinë IEC VISOKA INC nëpërmjet Licencë-Marrëveshjes përkatëse, e cila vendos dhe stabilizon marrëdhëniet midis shtetit dhe të licencuarit dhe garanton të drejtën e shtetit si pronar i burimeve natyrore. Në këtë MH, për Zhvillimin e Prodhimin e Hidrokarbureve në vendburimin e Visokës janë reflektuar treguesit më të mirë teknikë, ekonomikë të arritur deri më tani, duke reflektuar njëkohësisht edhe detyrimet ligjore të rrjedhura nga ligji “Për taksat kombëtare”. Në këtë MH janë parashikuar të zhvillohen dy faza. Faza e vlerësimit, e cila do të zgjasë 18 muaj me mundësi shtimi edhe për 6 muaj të tjerë në vartësi të arritjes së rezultateve. Gjatë kësaj faze janë programuar të realizohen investime minimale prej 600.000 USD. Këto investime do të konsistojnë në testimin e metodës Hibride Gjeotermike të Intensifikimit të nxjerrjes së naftës me anë të fluideve katalitike që do të injektohen në shtresë. Kjo është një teknologji e patentuar e testuar në vendburime me nafta të renda, siç është ai i Visokës dhe tentohet që të aplikohet edhe në Shqipëri si një metodë tashmë me shtrirje industriale. Pas përfundimit të fazës së parë dhe në vartësi të rezultateve që do të arrihen gjatë kësaj faze do të kalohen në fazën e zhvillimit dhe prodhimit, gjatë së cilës do të realizohen investime të konsiderueshme për shtrirjen e metodës në të gjithë vendburimin. Kjo fazë do të zgjasë 25 vjet me të drejtë shtyrje edhe për 5 vjet të tjera.

Qeveria jep pesë HEC-e me koncesion

Pesë HEC-e të tjera janë dhënë me koncesion. Qeveria në mbledhjen e radhës miratoi vendimin për miratimin e kontratës së koncesionit, të formës “BOT”, të lidhur ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe bashkimit të shoqërive “Euron” sh.p.k., “Kadria” sh.p.k., dhe “Teuta Konstruksion” sh.p.k., për ndërtimin e hidrocentraleve “Orgjost i Ri”, “Bele 1”, “Bele 2”, “Topojan 1” e “Topojan 2”. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 21, pika 4, e 27, të ligjit “Për koncesionet”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave

vendosi dje miratimin e kontratës së koncesionit, të formës “BOT” (Ndërtim, Operim dhe Transferim), të lidhur ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, si autoriteti kontraktues, dhe bashkimit të shoqërive “Euron” sh.p.k., “Kadria” sh.p.k., dhe “Teuta Konstruksion” sh.p.k., për ndërtimin e hidrocentraleve “Orgjost i ri”, “Bele 1”, “Bele 2”, “Topojan 1” e “Topojan 2”, sipas tekstit dhe anekseve. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ngarkohet për zbatimin e këtij vendimi.

Kredia për ekonominë u rrit me 29 miliardë lekë në 3-mujorin e tretë 2008

Kredia për ekonominë në tremujorin e tretë të vitit 2008 u rrit me 29 miliardë lekë, kundrejt 3-mujorit të dytë, duke ruajtur ritmet e larta të rritjes vjetore prej 43 për qind, bëhet e ditur në raportin e fundit mbi zhvillimet ekonomike në vend të Bankës së Shqipërisë. Sipas BSH-së, kontributin kryesor në rritjen e kredisë vazhdon ta japë kredia në valutë, e nxitur nga diferenca pozitive e normave të interesit të kredisë në lekë ndaj asaj në valutë. Ndërkohë që bizneset kanë qenë përdoruesit më të mëdhenj të kredisë bankare, duke zënë rreth 66 për qind të totalit të portofolit të kredisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›