BRUKSEL – BE-ja zgjat sanksionet ndaj individëve të lidhur me luftën e Rusisë në Ukrainë

BRUKSEL, 12 shtator /ATSH/ – Shtetet anëtare të Bashkimit Europian ranë sot dakord të zgjasin për gjashtë muaj të tjerë sanksionet ndaj individëve të lidhur me luftën e Rusisë në Ukrainë, njoftoi Danimarka, e cila mban presidencën e radhës të BE-së, në një postim në X, sipas Reuters.
BE-ja ka përfshirë në listë mbi 2 500 individë dhe entitete si pjesë e sanksioneve ndaj Rusisë, të cilat përfshijnë ngrirjen e llogarive bankare dhe ndalimin e udhëtimit në BE.
Për të rinovuar sanksionet çdo gjashtë muaj, vendet anëtare duhet të bien dakord njëzëri.
BE-ja përdor dy kuadro kryesore sanksionesh ndaj Moskës, njëri i drejtuar ndaj individëve dhe kompanive të përfshira në listë, dhe tjetri që përfshin masa sektoriale, si vendosja e një çmimi maksimal për naftën ruse dhe ngrirja e aseteve të Bankës Qendrore të saj. /Ad.Ab./