E Diel, 1 Nëntor 2026

BRUKSEL – BE miraton kredinë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën

BRUKSEL, 19 dhjetor /ATSH-DPA/- Bashkimi Evropian ka rënë dakord t’i ofrojë Ukrainës 90 miliardë euro për vitet 2026 dhe 2027, tha presidenti i Këshillit Evropian António Costa.

“Kemi një marrëveshje”, tha Costa në një postim në platformën X në orët e para të mëngjesit.

“Vendimi për të ofruar 90 miliardë euro mbështetje për Ukrainën për vitet 2026-2027 u miratua”, shtoi ai.

Udhëheqësit e BE-së arritën dje në Bruksel një kompromis – pasi planet për të përdorur miliarda euro të aseteve shtetërore ruse të ngrira – për të mbuluar nevojat e financimit të Ukrainës për vitet e ardhshme – nuk arritën të merrnin mbështetjen e nevojshme.

“Ukraina do të duhet ta shlyejë kredinë e re vetëm pasi Rusia të ketë paguar dëmshpërblimet”, tha kancelari gjerman Friedrich Merz pas takimit.

“Nëse Moska nuk arrin të ofrojë dëmshpërblime, asetet e ngrira ruse do të përdoren për të shlyer kredinë”, tha Merz.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u ka kërkuar udhëheqësve të BE-së të gjejnë një zgjidhje të shpejtë për nevojat financiare të Kievit.

“Pa fonde të reja, Ukraina rrezikonte të kishte një deficit prej 45-50 miliardë eurosh vitin e ardhshëm dhe të detyrohej të zvogëlonte prodhimin e saj ushtarak”, tha ai.

“Këto fonde janë të mjaftueshme për të mbuluar nevojat ushtarake dhe buxhetore të Ukrainës për dy vitet e ardhshme”, tha Merz.

“Ky është një mesazh vendimtar për t’i dhënë fund luftës sepse presidenti rus Vladimir Putin do të bëjë lëshime vetëm pasi të kuptojë se lufta e tij nuk do të japë rezultate”, shtoi ai. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›