BRUKSEL – Baerbock: Siguria ekonomike, pjesë e shqetësimeve më të gjera të sigurisë

BERLIN, 3 prill /ATSH-DPA/- Ministrja e Jashtme gjermane në largim, Annalena Baerbock tha se siguria ekonomike është e lidhur me “sigurinë e përgjithshme”, pas takimit të aleatëve të NATO-s sot në Bruksel – një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi tarifa të reja gjithëpërfshirëse për të gjitha importet.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio mori pjesë sot për herë të parë në një takim të ministrave të Jashtëm të NATO-s, në Bruksel.
Trump njoftoi dje në mbrëmje se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vendosnin tarifa prej të paktën 10% për të gjitha importet, duke përfshirë një tarifë prej 20% për mallrat nga Bashkimi Evropian.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte tha se ai nuk priste që lëvizja e fundit tregtare e Trump të ndikonte negativisht në takimin dyditor të ministrave të Jashtëm të NATO-s – i cili pritet të fokusohet në forcimin e aftësive mbrojtëse të aleancës.
Por, tarifat e reja mund të ndikojnë në rritjen ekonomike globale, gjë që mund të pengojë thirrjet e Uashingtonit kundrejt aleatëve të tij evropianë dhe Kanadasë – për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në 5% të prodhimit të brendshëm bruto (PBB).
“Çështjet e sigurisë ekonomike nuk mund të ndahen nga çështjet e “sigurisë sonë”, siç dëshmohet nga lufta hibride e përdorur nga presidenti rus, Vladimir Putin”, tha Baerbock – e cila mbërriti në Bruksel pas një vizite në Ukrainë dhe Moldavi.
“Shumica e shteteve në këtë botë nuk janë të interesuara vetëm për rregulla të drejta sigurie, por për marrëdhënie të drejta dhe të tregtisë së lirë”, tha ajo, duke shtuar se Evropa ishte pozicionuar fuqishëm për të mbrojtur veten. //a.i/