BRUKSEL – Franca dhe Gjermania propozojnë sanksione të reja kundër Rusisë

BRUKSEL, 8 shtator /ATSH-AFP/ – Franca dhe Gjermania propozojnë që Bashkimi Evropian të shënjestrojë ”Lukoil”, një kompani ruse nafte e pranishme në Evropë, si dhe më shumë aktorë joBE që ndihmojnë Rusinë të shesë naftën e saj, si pjesë e paketës së 19-të të sanksioneve që po përgatiten.
”Shitjet e naftës dhe gazit janë burimet kryesore të financimit për përpjekjet luftarake të Rusisë kundër Ukrainës”, theksojnë të dy vendet në një dokument.
”Prandaj është thelbësore”, sipas tyre, ”të shënjestrohen më tej aktorët, kompanitë ose vendet e treta në qendër të këtyre shitjeve të hidrokarbureve, përfshirë ‘Lukoil’, një nga grupet e fundit private në sektor në Rusi”.
Kjo kompani, një nga prodhuesit kryesorë të naftës në Rusi, zotëron gjithashtu stacione benzine në BE, veçanërisht në Belgjikë.
Parisi dhe Berlini gjithashtu duan të forcojnë sanksionet kundër vendeve të treta që lehtësojnë anashkalimin e sanksioneve ekzistuese, për shembull duke shënjestruar rafineritë e furnizuara me naftë ruse, e cila më pas rishitet në Bashkimin Evropian me një origjinë të ndryshme.
BE ndaloi të gjitha importet e naftës ruse pas pushtimit të Ukrainës.
Megjithatë, dy vende, Sllovakia dhe Hungaria, u përjashtuan për shkak të varësisë së tyre të madhe nga nafta ruse.
Ky dokument gjithashtu rekomandon synimin e mëtejshëm të mekanizmave financiarë të përdorur nga Rusia për të anashkaluar sanksionet perëndimore.
Jo më pak se 250 banka të vogla janë të përfshira në transaksione financiare që synojnë të mbështesin përpjekjet ruse të luftës, vëren ky dokument franko-gjerman, i cili synon të kontribuojë në debatin mbi sanksionet e reja evropiane.
Pas një pakete të 18-të sanksionesh të vendosura në mesin e korrikut, Bashkimi Evropian po përgatit një sërë masash të reja, që synojnë kryesisht zvogëlimin e fitimeve të papritura nga nafta që gëzon Kremlini.
Këto propozime, të cilat aktualisht po hartohen nga Komisioni Evropian, do të duhet të miratohen nga 27 shtetet anëtare të BE-së.
Shtetet e Bashkuara janë deklaruar të gatshme të vendosin sanksione të reja kundër Rusisë dhe u bënë thirrje evropianëve të veprojnë nga ana e tyre.
I Dërguari Special i BE-së për Sanksionet, David O’Sullivan, ishte planifikuar të takohej me zyrtarë amerikanë në Uashington të hënën për të diskutuar çështjen./ a.jor.