E Diel, 1 Nëntor 2026

BRUKSEL – Miratohet paketa e 20-të e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë

BRUKSEL, 22 prill /ATSH-ANSA/ – Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm pranë Bashkimit Evropian (Coreper) ka miratuar paketën e 20-të të sanksioneve ndaj Rusisë, e cila deri më tani ishte bllokuar nga vetoja e Hungarisë.

Lajmi është bërë i ditur nga presidenca e radhës e BE-së, që aktualisht mbahet nga Qipro.

Heqja e pengesës politike i hap rrugën avancimit të mëtejshëm të masave ndëshkuese në kuadër të politikës së BE-së ndaj Moskës.

Vendimi tani do t’i nënshtrohet procedurës me shkrim, në pritje të miratimit përfundimtar nga Këshilli i Bashkimit Evropian, çka konsiderohet zakonisht një hap formal për hyrjen në fuqi të paketës.

Sipas burimeve diplomatike në Bruksel, paketa e re pritet të përfshijë masa shtesë që synojnë sektorë strategjikë të ekonomisë ruse, si dhe zgjerim të listës së individëve dhe entiteteve të sanksionuara.

Qëllimi mbetet rritja e presionit ekonomik dhe politik ndaj Kremlinit.

Miratimi i kësaj pakete vjen në një moment të ndjeshëm gjeopolitik dhe konfirmon vijimin e linjës së ashpër të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë, pavarësisht divergjencave të brendshme mes shteteve anëtare mbi shkallën dhe efektivitetin e sanksioneve./  /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›