E Diel, 1 Nëntor 2026

GJERMANI – “Rheinmetall” do të furnizojë Bundeswehr-in me dronë kamikazë

DYSELDORF, 22 prill  /ATSH-DPA/ – Kompania më e madhe gjermane e mbrojtjes, “Rheinmetall,” do të furnizojë Forcat e Armatosura të Gjermanisë, Bundeswehr, me të ashtuquajtur dronë kamikazë, të cilët janë projektuar të qëndrojnë mbi zonën e objektivit si municione dhe më pas të godasin në mënyrë autonome.

”Zyra e Prokurimeve e Bundeswehr-it ka nënshkruar një kontratë me vlerë rreth 300 milionë euro në Koblenz”, bëri të ditur kompania me seli në Dyseldorf.

Numri i saktë i dronëve mbetet i klasifikuar.

Dërgesat pritet të fillojnë në gjysmën e parë të vitit 2027, ndërsa raketat do të prodhohen në qytetin Neuss.

Porosia për modelin FV-014 është bërë në kuadër të një kontrate kornizë që, sipas burimeve të informuara, arrin vlerën e rreth 1 miliard eurove dhe përfshin dhjetëra mijëra njësi.

Konkurrentët “Stark” dhe “Helsing” kanë kontrata të ngjashme dhe tashmë kanë siguruar porosi. “Rheinmetall” ka qenë disi prapa në këtë segment, pasi iu desh ta zhvillonte këtë teknologji nga e para për ta sjellë në treg.

Dronët janë të pajisur me eksploziv dhe përdoren gjithashtu për qëllime zbulimi.

“Me FV-014, Bundeswehr-i do të pajiset me një sistem tjetër armësh që mund të mbrojë trupat e veta dhe të godasë objektiva kritikë në mënyrë të shpejtë, të kontrolluar dhe efektive”, deklaroi drejtori ekzekutiv i “Rheinmetall”, Armin Papperger.

Sipas të dhënave, këta dronë kanë një rreze veprimi deri në 100 kilometra, një kokë luftarake rreth 4,0 kilogramë dhe mund të qëndrojnë në ajër deri në 70 minuta për vëzhgim.

Produkti prodhohet plotësisht brenda Bashkimit Evropian.

Forcat e Armatosura gjermane e vlerësojnë pozitivisht këtë lloj municioni, pasi mundëson reagim të shpejtë dhe goditje me saktësi më të madhe se predhat e artilerisë. Teknikisht, këto sisteme nuk konsiderohen dronë klasikë, por municione njëpërdorimëshe, që lëshohen nga një kontejner dhe operojnë në ajër deri në identifikimin e objektivit.

Në rast se nuk gjendet një objektiv brenda kohës së caktuar, ato mund të rrëzohen në mënyrë të kontrolluar.

Softueri është një element kyç për këtë teknologji dhe duhet të përditësohet vazhdimisht. Kontratat përfshijnë klauzola inovacioni që detyrojnë prodhuesit të mbajnë sistemet të përditësuara, pasi në të kundërt ato mund të bëhen të pavlefshme brenda pak muajsh për shkak të kundërmasave të mundshme nga kundërshtarët. /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›