E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

BRUKSEL – Sekretari i ri i Mbrojtjes i SHBA-së Hegseth merr pjesë në takimin dyditor të NATO-s

BRUKSEL, 12 shkurt /ATSH-DPA/- Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Pete Hegseth, do të marrë pjesë në takimin dyditor të NATO-s në Bruksel, ndërsa aleatët shpresojnë të qartësohen lidhur me mbështetjen e vazhdueshme të Uashingtonit për Ukrainën dhe angazhimin e tij ndaj aleancës ushtarake perëndimore.

Gjatë vizitës së tij dyditore në Bruksel, Hegseth do të marrë pjesë sot pasdite në një mbledhje të të ashtuquajturit Grupi i Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës, ku koordinohen dërgesat e armëve në Ukrainë.

Vazhdimi i mbështetjes së madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kievin është vënë në pikëpyetje pasi presidenti amerikan Donald Trump dëshiron t’i japë fund luftës në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur.

Grupi, takimet e të cilit shpesh çojnë në premtime të reja ndihme ushtarake, u iniciua nga SHBA-ja pothuajse tre vjet më parë, por do të mblidhet për herë të parë nga sekretari i Mbrojtjes i Britanisë së Madhe, John Healey.

Hegseth ka planifikuar të marrë pjesë nesër në një takim të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s, të fokusuar në shpenzimet ushtarake dhe zgjerimin e kapaciteteve të industrisë së mbrojtjes.

Trump ka kritikuar prej kohësh shpenzimet e ulëta të mbrojtjes në disa vende të NATO-s dhe u ka kërkuar aleatëve të rrisin shpenzimet në 5% të prodhimit të tyre të brendshëm bruto (PBB) – më shumë se dyfishi i objektivit aktual.

Kthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë ngriti gjithashtu shqetësime në lidhje me rolin e SHBA-së në ndihmën për të garantuar sigurinë evropiane dhe të ardhmen e mijëra trupave amerikane – të stacionuara në kontinent pasi prania e tyre është një pjesë integrale e aftësive mbrojtëse të NATO-s.

Interesi i administratës amerikane për ta bërë territorin danez të Groenlandës pjesë të SHBA-së nuk është në axhendën zyrtare, por mund të diskutohet pasi në takim do të ketë përfaqësues nga Danimarka – një anëtare e NATO-s. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›