BRUKSEL – Vendet e BE-së bien dakord në parim për sanksione të reja ndaj Bjellorusisë

BRUKSEL, 26 qershor /ATSH-DPA/- Vendet e BE-së ranë dakord në parim për marrjen e masave të reja ndëshkuese që shënjestrojnë Bjellorusinë për të forcuar sanksionet ekzistuese ndaj Rusisë, njoftoi sot presidenca belge e BE-së.
“Kjo paketë do të forcojë masat tona në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës, duke përfshirë luftimin e anashkalimit të sanksioneve,” tha Presidenca belge e BE-së në një postim në X.
Që nga pushtimi rus në shkallë të plotë të Ukrainës, BE-ja ka vënë në shënjestër ekonominë, institucionet dhe zyrtarët rusë të lidhur me luftën me raunde të shumta sanksionesh.
Ndërsa pushtimi zvarritet, Rusia ka punuar shumë për të anashkaluar masat ndëshkuese, për të siguruar më shumë burime për ushtrinë e saj dhe për të mbajtur ekonominë e saj në funksion.
“Ndërsa Rusia dhe Bjellorusia janë në një bashkim doganor, masat e reja ndëshkuese ndaj Minskut synojnë të mbyllin “boshllëkun më të madh” të regjimit të sanksioneve të BE-së”, tha një diplomat i BE-së.
“Bjellorusia nuk duhet të shërbejë më si një rrugë për të anashkaluar sanksionet tona kundër Rusisë”, tha presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në X.
Bjellorusia, e izoluar prej kohësh që nga shtypja e demonstruesve që protestonin kundër zgjedhjeve të falsifikuara në vitin 2020, është sanksionuar edhe më herët nga BE-ja për mbështetjen e pushtimit rus në shkallë të plotë të Ukrainës.//a.i/