E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rama: Mirëqeverisja s’është vetëm çështje e ekzekutivit, por edhe e gjyqësorit

TIRANË, 26 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, tha sot se mirëqeversja nuk është vetëm çështje e qeverisë, ekzekutivit, por është dhe mirëqeverisja e gjyqësorit. Ai tha se parlamenti duhet të ketë një rol të rëndësishëm monitorues në këtë drejtim.

Kryetari i Partisë Socialiste, i pranishëm në mbledhjen e Grupit Parlamentar e vuri fokusin e ligjëratës së tij tek procesi i Integrimit Europian, tek Komisioni i Posaçëm për Mirëqeverisjen – Sundimi e Ligjit – Antikorrupsionin dhe vijueshmërinë e reformave për Shqipërinë 2030 në BE.

Rama në fjalën e tij, tha se parlamenti duhet të adresojë ato problematika të mekanizmave shtetërorë që kanë çaluar në luftën ndaj korrupsionit. Kreu i qeverisë tha se 56% e masave të parashikuara nga BE, lidhet me drejtësinë dhe Kuvendi duhet të ketë syrin e tij edhe tek institucionet e drejtësisë.

“Mirëqeverisja nuk është vetëm çështje e qeverisë, ekzekutivit, është dhe mirëqeverisja e gjyqësorit, që do të thotë se Këshillat e Prokurorisë dhe Gjyqtarëve, që janë qeveri e gjyqësorit, të mirëqeverisin gjyqësorin. Sa jemi sot ne të sigurtë që këto këshilla mund ta disponojnë të gjithë kapacitetin dhe sa mund të lihet kjo thjesht dhe vetëm në çfarë bëjnë ato këshilla, në rast se Kuvendi i Shqipërisë, nuk ka asnjë sy, syrin e vetë të sovranit, për ta ndjekur punën”, nënvizoi Rama.

“Mora një shembull, por si këto janë shumë e shumë e shumë shembuj të tjerë, si mirëqeverisja e Avokatit të Popullit, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, pra në të gjitha nivelet. Në të gjitha masat, po t’i lexoni në detaje, ka një rekomandim që është horizontal, që shkon nga gjyqësori, tek ekzekutivi, tek mjedisi, tek zogjtë dhe te lulet, është antikorrupsioni”, tha Rama.

“Çfarë do të thotë kjo, që lufta ndaj korrupsionit është modernizim. Dhe detyrat janë shumë qartësisht të ndara. Ndëshkimin e bën drejtësia, parlamenti dhe qeveria nuk merret me ndëshkimin, me aspektin e ndëshkimit penal, por merret me adresimin e problematikës që kanë mekanizmat shtetërorë, që duke munguar apo duke qenë të dobët, i lënë hapësirë korrupsionit”, tha Rama.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›