E Martë, 3 Nëntor 2026

BRUKSEL – Von der Leyen mban premtimin për listën e vendeve të sigurta

BRUKSEL, 17 prill /ATSH/ – Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen kishte premtuar në një letër mbi politikat e migracionit, dërguar udhëheqësve përpara samitit të BE-së në mars, se ajo synonte të paraqiste së shpejti “një listë të parë të BE-së të vendeve të origjinës së sigurt në javët e ardhshme”, sipas ”Corriere della sera”.

Dje, Komisioni Evropian propozoi një listë të parë të BE-së të vendeve të sigurta të origjinës, që janë Kosova, Bangladeshi, Kolumbia, Egjipti, India, Maroku dhe
Tunizia.

Këtyre u shtohen edhe vendet kandidate për në BE, sepse Komisioni vlerëson se ato ”përmbushin, në parim, kriteret për t’u përcaktuar si vend i sigurt i origjinës”.

Kërkesat për azil nga shtetasit e këtyre vendeve mund t’i nënshtrohen procedurës së përshpejtuar, e cila mund të kryhet në kufi ose në zonat tranzite, e cila parashikohet nga Pakti i ri për Migracionin, miratuar një vit më parë.

Disa shtete anëtare kanë tashmë lista kombëtare të vendeve të sigurta të origjinës.

Lista e BE-së do t’i plotësojë ato dhe do të lehtësojë aplikimin më uniform.

Pakti për Migracionin dhe Azilin do të hyjë në fuqi në qershor 2026, por Komisioni ka propozuar gjithashtu të sjellë përpara zbatimin e dy rregullave: shtetet anëtare mund të zbatojnë procedurën e kufirit ose një procedurë të përshpejtuar për njerëzit që vijnë nga vendet ku mesatarisht 20% ose më pak e aplikantëve u jepet mbrojtje ndërkombëtare në BE; Vendet e treta të sigurta dhe vendet e sigurta të origjinës mund të caktohen me përjashtime, duke u dhënë shteteve anëtare fleksibilitet më të madh duke përjashtuar rajone specifike ose kategori individësh të identifikueshme qartë./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›