Koçiu: 400 qendra shëndetësore të ndërtuara dhe rikonstruktuara në të gjithë vendin

TIRANË, 17 prill /ATSH/ Qendra Shëndetësore Raboshtë, në komunën Kallmet të qarkut Lezhë, është rikonstruktuar dhe ky është një tjetër investim i Qeverisë shqiptare që i shtohet “zinxhirit” të 400 qendrave shëndetësore dhe ambulancave që janë rehabilituar deri tani.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka ndarë sot pamjet e kësaj qendre të rilindur, ndërsa shprehet se do “t’u shërbejë 1600 banorëve të zonës, duke ofruar shërbimet bazë të paketës së kujdesit shëndetësor me standarde më të larta dhe kushte më dinjitoze”.
“Janë 400 qendra shëndetësore të ndërtuara dhe rikonstruktuara në të gjithë vendin, 60 prej tyre vetëm në periudhën 2023–2024, në kuadër të angazhimit tonë të pandalshëm për një shëndetësi më pranë qytetarëve”, thotë Koçiu.
/a.f/r.e/