BSH, 1.9 milionë shqiptarë me llogari bankare
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, është rritur ndjeshëm numri i llogarive bankare në banka. Sipas të dhënave që i përkasin 9-mujorit të vitit 2010, janë mbi 146 mijë klientë që kanë përdorur internetin me një vlerë 79 milionë lekë
Në bankat shqiptare ndodhen mbi 2 milionë e 1000 llogari bankare, nga të cilat rreth 1 milionë e 900 mijë u përkasin individëve dhe 155 808 janë llogari që u përkasin kompanive. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit 2010 është rritur ndjeshëm numri i shqiptarëve që kanë përdorur internetin për të kryer veprime në banka. Sipas të dhënave që i përkasin 9 -mujorit të vitit 2010, janë mbi 146 mijë klientë që kanë përdorur internetin, me një vlerë 79 milionë lekë. Në Shqipëri operojnë 16 banka, të cilat ofrojnë shërbime pagesash në 550 degë, agjenci bankare në të gjithë vendin, nga të cilat 14 banka të licencuara dhe si emetuese kartash, duke ofruar shërbimin e tërheqjes cash nga pajisjet ATM. Numri i transaksioneve bankare zotërohet nga 3 banka, të cilat kryejnë rreth 43 për qind të pagesave dhe llogarive, ndërsa pjesa tjetër kryhet nga bankat e tjera. Roli i Bankës Qendrore në reformimin dhe mbikëqyrjen e sistemeve të pagesave, po merr një rëndësi gjithnjë dhe më të madhe në kushtet e turbulencave në tregjet financiare ndërkombëtare. Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë po punon për ndërtimin e një sistemi kombëtar pagesash, të sigurt dhe eficient, në mbështetje të zhvillimit të tregut financiar në vend, por njëkohësisht duke synuar shmangien e rreziqeve që sjell ky zhvillim. Drejtimet kryesore ku është fokusuar puna synon të përcaktojë një kuadër ligjor të domosdoshëm për funksionimin e sigurt dhe eficient të sistemit kombëtar të pagesave, rolin dhe detyrat e Bankës së Shqipërisë, në lidhje me zhvillimin dhe mbikëqyrjen e sistemeve të pagesave dhe të shlyerjeve në Republikën e Shqipërisë. Projekti do të marrë në konsideratë mbrojtjen e sistemeve, ku synohet të rregullohen çështje që lidhen me mbrojtjen e sistemeve nga paaftësia paguese e pjesëmarrësve në sistem, karakteri përfundimtar dhe pakthyeshmëria e urdhërpagesave të hyra në sistem, përcaktimi i çastit të hapjes së procedurave për paaftësi paguese të një pjesëmarrësi në sistem, etj. Gjithashtu projektligji synon mbrojtjen e marrëveshjeve të kolateralit financiar, ku rregullohen koncepte të tilla si vlefshmëria dhe zbatimi i marrëveshjeve të kolateralit financiar, në sistemet e pagesave dhe të shlyerjes, shlyerja e kolateralit financiar të lënë peng dhe të tjera koncepte juridike, rregullimi i të cilave është i domosdoshëm për funksionimin normal të sistemeve të pagesave dhe të shlyerjes. Në Shqipëri, klerimi dhe shlyerja e pagesave ndërmjet bankave, në monedhën kombëtare lek, realizohet nëpërmjet dy sistemeve të pagesave: Sistemi i shlyerjes së pagesave ndërbankare me vlerë të madhe AIPS dhe sistemi i klerimit të pagesave me vlerë të vogël AECH. Sipas Bankës së Shqipërisë, sistemet e pagesave kanë reflektuar siguri dhe eficiencë, karakteristika të domosdoshme për funksionimin normal të tyre, njëkohësisht dhe ndër objektivat kryesorë të Bankës së Shqipërisë. Aktualisht, të gjitha bankat e licencuara nga Banka e Shqipërisë janë pjesëmarrëse të drejtpërdrejta në sistemin AIPS, nga të cilat 15 banka janë pjesëmarrëse të drejtpërdrejta edhe në sistemin AECH.