Ngjela: Berisha ka 4 ditë kohë të japë dorëheqjen
TIRANË- Përfaqësuesi i Opozitës së Bashkuar, dhe njëherësh kryetar i PLD, Spartak Ngjela, deklaroi dje se kryeministri i vendit, Sali Berisha kaloi një krizë mendore dy ditë më parë në Kuvend. “Opozita e Bashkuar, në pritje të datës 21 janar, konstaton, sidomos nga shfaqja e djeshme në parlamentin shqiptar, se kjo maxhorancë, përkatësisht ky kryeministër, ka kaluar nga një krizë morale dhe institucionale njëherësh, në një krizë mendore. Çështja është shumë e rëndë dhe pyetja që ngrihet është, a ka opinion publik, ose s’ka opinion publik në Shqipëri. Data 21 janar do të tregojë se ka opinion publik në Shqipëri, që t’i përgjigjet abuzimit me pushtetin dhe marrëzisë së pushtetit”, - tha dje Ngjela. Kryetari i PLD-së i beri thirrje qytetarëve që të mblidhen të premten në demonstratë”. Shqiptarët në datën 21, t’i japin fund kësaj çështje, ose ka katër ditë kohë të japë dorëheqjen. Në mënyrë që shqiptarëve t’ju jepet përfundimisht e drejta të votojnë të lirë, të kenë prosperitet dhe perspektivë në vendin e tyre, të mos ju thonë se jeni më të pasurit në botë, kur janë dhe e dimë që jemi më të varfrit në Ballkan. Jo tre milionë turistë të huaj s’kanë ardhur në Shqipëri, ju garantoj se vjet nuk kanë kaluar as dallëndyshe. Data 21 janar i jep fund kësaj çështje. I bëj thirrje opinionit publik shqiptar të kthehet te ndjesitë perëndimore dhe të personalitetit, në mënyrë që të krijojmë edhe në qeverisjen tonë me dinjitet, për të ngritur personalitetin e shqiptarëve dhe të shtetit shqiptar në këtë komunitet ndërkombëtar”, - tha Ngjela.