Berisha në Itali: Mirëpresim investime në energjinë bërthamore
Kryeministri Berisha, gjatë vizitës së tij në Milano, mori pjesë në forumin ekonomik Shqipëri-Itali. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Berisha tha se Shqipëria është e interesuar për investitorë në sektorin e turizmit dhe të energjisë. Ai tha se, Shqipëria ka shumë potenciale në sektorin e energjisë, duke përsëritur faktin se mirëpriten investime edhe në energjinë bërthamore. Gjatë këtij forumi, kryeministri Berisha zhvilloi një takim edhe me Presidentin e Provincës së Milanos, Guido Podesta. Kryeministri Berisha e falënderoi zotin Podesta, për ndihmën dhe mikpritjen e ofruar ndaj komunitetit shqiptar, që ndodhet në provincën e Milanos. Kryeministri e vlerësoi, gjithashtu, si shumë të rëndësishëm organizimin e këtij aktiviteti në Milano me sipërmarrësit milanez, një mundësi shumë e mirë kjo për prezantimin e mundësive që ofron Shqipëria ndaj biznesit milanez. Duke bërë një ekspoze të potencialeve ekonomike që ofron Shqipëria, si dhe regjimi i favorshëm fiskal dhe rregullator që ofron Shqipëria për zhvillimin e biznesit të huaj, Kryeministri Berisha theksoi se qeveria shqiptare do të garantojë zhvillimin e bizneseve italiane, për të bërë të mundur që ato të kthehen në histori suksesi. Nga ana e tij, Presidenti Podesta e konsideroi si sukses dhe shenjë interesi të lartë pjesëmarrjen e gjerë të investitorëve lombardë në këtë aktivitet. Ai theksoi se provinca e Milanos ka përqendrimin më të madh të bizneseve dhe shprehu interesin, që së shpejti të organizohet në Shqipëri një forum i ngjashëm me prezencën e zgjeruar të bizneseve të provincës së Milanos. Presidenti Podesta theksoi se mbështetja e provincës së Milanos do të jetë e gjithanshme, si politike dhe ekonomike, në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian. Të dy bashkëbiseduesit e vlerësuan si shumë të rëndësishme forcimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve.