E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata Administrative, rinis debati për fondet e SHBA-ve

18/01/2011  Komisioni i Ekonomisë kalon marrëveshjen 75 milionë USD. Duhen 84 vota në Kuvend

Një dritë duket në fund të tunelit sa i përket miratimit të ligjit për Gjykatën Administrative nga politika. Aktorët e dy kampeve PD dhe PS e kanë marrë një mësim, si përgjegjës për mosmiratimin e hallkës së munguar të gjyqësorit. Të paktën kështu u nënkuptua nga deklaratat e tyre gjatë diskutimeve në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave. Në komision u shqyrtua dje një marrëveshje për financimin e projekteve me vlerë 75 milionë dollarë që qeveria amerikane do të zbatojë deri në shtator të 2015 për reformat në vendin tonë, në sistemin e drejtësisë, shëndetësisë apo edhe mbështetje për biznesin. Por ende nuk është e qartë nëse qeveria amerikane do të rifinancojë projektin për ngritjen e kësaj gjykate, ashtu siç ishte parashikuar deri në shtator të vitit të kaluar. Po kështu nuk dihet se si do t’i luajnë letrat e tyre në Kuvend përfaqësuesit e opozitës, tashmë që debatet politike në vend janë ndezur së tepërmi, ndërsa më 21 janar pritet rinisja e protestave të opozitës së bashkuar.

Marrëveshja

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të financojnë me një fond prej 75 milionë dollarësh nëpërmjet USAID-it disa reforma në fushën e shëndetësisë, drejtësisë dhe forcimin e biznesit në Shqipëri. Fondi do të shpërndahet në një hark kohor 5-vjeçar, nga tetori 2010 deri në shtator 2015. Komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi marrëveshjen e ndihmës së qeverisë amerikane. Deputetët e mazhorancës dhe ata të opozitës, në momentin që morën në dorë këtë marrëveshje kanë ndjerë peshën e mungesës së konsensusit për gjykatën administrative që çoi në djegien e fondit prej 16 milionë dollarë. Deputeti i PD-së Sherefedin Shehu deklaroi: “Qeveria amerikane ka dhënë gjithmonë fonde, që mbështetin demokracinë dhe zhvillimin në vend. Për këtë arsye, ne duhet të tregojmë vullnetin tonë të përbashkët dhe mos të pengojmë kalimin e fondeve të tilla”. Po kështu, deputeti i PS-së Arben Malaj, u shpreh, se miratimi i kësaj marrëveshjeje varet veçse nga vullneti politik. Marrëveshja pritet të kalojë në seancë plenare dhe kërkon shumicë të cilësuar votash, pra 84 të tilla.

Të gjithë në kërkim të...

Vitin e kaluar nuk munguan lajmet për nevojën për miratim apo përmirësim të ligjit, si dhe për humbjen e shansit për financimin e Gjykatës Administrative nga fondet amerikane. Pati debate dhe polemika mes palëve të interesuara, apel nga të dy palët për dialog, deri edhe te apeli i kreut të shtetit për zgjidhjen e ngërçit. Rezultati është ai që dihet. Gjykata Administrative mbeti një projekt i parealizuar. Por në javën e dytë të janarit të këtij viti ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, risolli shqetësimin se një prej ligjeve që kërkon më shumë se një shumicë të thjeshtë kanë mbetur ende në Parlament pa u votuar për shkak të refuzimit politik të grupit parlamentar të opozitës. I tillë ishte mosmiratimi i Gjykatës Administrative. “Opozita ka një detyrim ndaj shtetit shqiptar qoftë për votimin e Gjykatës Administrative, votimin e heqjes së imunitetit ndaj politikanëve qoftë dhe për votimin e ndryshimeve që i janë bërë Kodit Penal dhe që i adresohen çështjeve të korrupsionit dhe luftës ndaj terrorizmit,”- u shpreh ministri Nishani gjatë analizës së dikasterit të Drejtësisë, të shtunën e kaluar, teksa i bëri thirrje opozitës të bënte detyrën e saj në Parlament. Po kështu komuniteti i biznesit ka bërë presion dhe është munduar të jetë iniciator i dialogut për zgjidhjen e këtij problemi. Mundime që duket se kanë shkuar kot, pasi kanë rënë në vesh të shurdhët. Në agjendën e Dhomës Amerikane të Tregtisë është cilësuar si prioritet “të përfundohet procesi i krijimit të sistemit të gjykatave administrative”. Komuniteti i biznesmenëve të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës e ka kërkuar me ngulm ashtu si gjatë gjithë vitit 2010, miratimin e këtij projektligji “Politika shqiptare e mbajti peng gjatë gjithë këtij viti, duke dëmtuar jo pak interesat jo vetëm të biznesit, por edhe të ekonomisë së vendit. Dhoma i bën një apel të gjithë parlamentarëve shqiptarë ta miratojnë këtë projektligj aq të domosdoshëm për sipërmarrjen, si një ndër nismat e para ligjore të vitit 2011”, - theksoi Nikolin Jaka pak ditë para se të largohej viti 2010. Kjo do të ishte zgjidhja e një kalvari pothuajse 20-vjeçar raportesh të vështira dhe shkeljesh flagrante të të drejtave të biznesit, nga organet doganore dhe tatimore.

Shifra

75 milionë dollarë

Për financimin e projekteve deri në shtator të 2015 qeveria amerikane parashikon 75 milionë dollarë, të cilat do të zbatohen për reformat në sistemin e drejtësisë, shëndetësisë apo edhe mbështetje për biznesin në vendin tonë.

16 milionë dollarë

Ky ishte fondi i vënë në dispozicion të krijimit të Gjykatës Administrative nga qeveria amerikane nëpërmjet USAID-it, me anë të të cilit do të instalohej një sistem elektronik për menaxhimin e çështjeve gjyqësore, blerje pajisjesh, fond i cili u dogj në shtator 2010.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›