BSH Ecuria e ekonomise per kete vit do jete nen 2
Performanca e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2013 pritet të jetë e vështirë dhe nën potencialin e saj. Në prezantimin, pa praninë e kamerave, të raportit të Politikës Monetare për tremujorin e katërt 2012, të BSH, thuhet se rritja ekonomike do të shkojë nën 2%. Ekspertët e Bankës Qëndrore shprehen pesimistë mbi aftësinë e eksporteve për të ruajtur rritje të qëndrueshme në afatin e gjatë. Në mungesë të reformave dhe investimeve të reja, Banka Qendrore vlerëson se rritja e eksporteve do të jetë më e ulët se shkalla 8.2% e regjistruar vitin e kaluar. Nga ana tjetër pritet që konsumi dhe investimet private të gjenerojnë një kontribut pozitiv në rritjen ekonomike.Nga pikëpamja e shëndetit financiar, si bizneset ashtu edhe konsumatorët shqiptarë rezultojnë me bilance të shëndosha, falë rritjes së kursimeve të familjeve, evitimit të çrregullimeve të mëdha në treguesit e punëzënies, dhe fleksibilitetit të biznesit në kontrollin e kostove të tyre. Rritja e kursimeve financiare dhe ruajtja e forcës së punës përbëjnë premisa pozitive për ruajtjen e potencialit të rritjes në një periudhë afatmesme.